Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka analizuar pjesëmarrjen e Ekipit Olimpik të Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF), që po mbahet në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore.
Kosovën e përfaqësuan skitaret Klea Vrella dhe Elba Kokaj, të cilat të mërkurën përfunduan garat. Ato garuan në sllallom dhe sllallom të madh. Derisa në sllallomin e mbajtur të hënën, Klea doli nga shtegu, ndërsa Elba u diskualifikua, në sllallom të madh të mbajtur të mërkuren, ato zunë vendet 71 dhe 72.
“Bazuar në vlerësimin e trajnerëve dhe vetë garueseve, konkurrencës tejet të fortë, si dhe kushteve që mbretërojnë në vendin tonë, mund të themi se kishte një paraqitje të mirë të të dy skitareve. Për Kosovën është mirë që u prezantua në EYOF Sarajeva 2019, të cilat për vendin tonë ishin të dytat pas pjesëmarrjes në Erzurum 2017″, ka deklaruar presidenti Hasani për ueb-faqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”.
Qëndrimin në Sarajevë, presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, e kanë shfrytëzuar edhe për takime të ndryshme me homologët e shteteve tjera, me të cilët shkëmbyen përvoja të ndryshme.
“Realizuam kontakte të shumta me homologët tanë, ndërsa për performancën e dy sportisteve dhe përvojën e fituar, edhe unë e ndaj mendimin me trajnerët dhe dy sportistet se të arriturat janë në proporcion me mundësitë për stërvitje dhe me kapacitetin momental të dy sportisteve. Jam i bindur se me investimet në Brezovicen e bukur dhe qendrat tjera, sportistet tona do të shkëlqejnë në vitet në vijim”, theksoi Hasani.
Bosnja e Hercegovina nuk e njeh Pavarësinë e Republikës së Kosovës, por kjo nuk ka pasur asnjë dallim sa i përket përfaqësimit të vendit tonë në Sarajevë, edhe pse federata të ndryshme të Kosovës kishin hasur në vështirësi, gjatë prezantimit të tyre të mëhershëm.
“Ne EYOF Sarajeva 2019 Kosova mori pjesë me flamur sikurse çdo shtet tjeter, madje në hapjen solemne durtrokitjet e qytetarëve të Bosnjës e Hervegovinës ishin frenetike që dëshmon respektin reciprok midis dy popujve dhe se shumica e qytetarëve nuk pajtohen me qëndrimet e politikanëve për mosnjohje të Republikës së Kosovës!”, shtoi i pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë.
EYOF Sarajeva 2019 mbyllet nesër (e premte) mbrëma me ceremoninë mbyllëse, ku flamurin e Kosovës do ta bartë skitarja Klea Vrella.