Hasani: Kurti do t’i nënshtrohet Listës Serbe, në të kundërtën legjitimohet ndarja e Kosovës

Prishtinë | 12 Tet 2019 | 08:02 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën e kaluar u vlerësuan të rregullta dhe demokratike. Ndërsa, tani pritet që Komisioni Qendror Zgjedhor në afatin e përcaktuar të bëjë edhe certifikimin e tyre.

Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në këto zgjedhje vazhdojnë të pohojnë se nuk do të bashkëpunojnë me Listën Serbe.

Por, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se pavarësisht deklarimeve, qeveria e ardhshme nuk mund të formohet pa Listën Serbe.

Ai shton se është obligim kushtetues që subjekti më i madh politik që i përfaqëson komunitetin serb të jetë pjese e ekzekutivit.

Madje, Hasani thotë se mosinkuadrimi i Listës Serbe në Qeverinë Kurti, mund ta destabilizojë vendin, ndërsa nuk përjashton edhe ndarjen e veriut.

“Sipas Kushtetutës ajo nuk është e mundur. Kosova ka demokraci konstitucionale e cila ekziston ën Qipro, Afrikë të Jugut, Liban, Bosnjë, ku ndarja e pushtetit përmes vijave etnike, fetare, gjuhësore, është e saktë, e qartë, e përpjesëtuar dhe e fiksuar në norma kushtetuese, përkatësisht në rregullat e lojës politike të cilët aktorët duhet zbatojnë. Në këtë kuptim as Albini, as askush nuk mund të vendosë për fatin dhe përfaqësimin e serbëve lokalë, boshnjakëve, turqve dhe të askujt. Ai është koalicion kushtetues të cilit t’i duhesh t’i nënshtrohesh nëse nuk dëshiron të krijosh probleme serioze politike në Kosovë, të cilat nëse  shkohet me këtë logjikë, unë jam shumë i sigurt që qon edhe në legjitimimin e ndarjes së Kosovës. Nëse shkohet me këtë logjikën e përjashtimin të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera, atëherë jo që është antikushtetuese, por ajo domosdo qon edhe në realizime etnike territoriale të cilat mund t’i kushtojnë Kosovës. Kështu është në Kushtetutë dhe ajo duhet të respektohet”, thotë ish-kreu i Kushtetueses.

Hasani ngre një paralele ndërmjet situatës aktuale dhe asaj të regjimit të Millosheviqit.

Thotë se politikanët kosovarë nuk duhet të përdorin politikë të njëjtë me “ish-kasapin e Ballkanit”.

Madje citon edhe pjesë nga Kurani dhe Bibla.

“Ata janë përfaqësues që kanë fituar votën e komunitetit serb dhe ata siç e thotë Kushtetuta janë deklaruar që përfaqësojnë atë komunitet dhe kjo duhet respektohet.  Në kohën e Millosheviqit kërkohej ndonjë shqiptar i ndershëm për bashkëpunim dhe ne tashmë duhet t’i heqim ato stereotipa, nuk na ka hije, sepse edhe librat e shenjt kurani dhe bibla e re e vjetër, thonë që ‘mos ia bë dikujt atë që nuk e dëshiron për vete’. Nuk shoh asnjë të keqe nga ta. Ata janë qytetarë të Kosovës”, thotë ai.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka shpjeguar edhe hapat ligjor që duhet ndjekur deri në formimin e institucioneve të reja.

Thotë se vendimi i Kushtetueses në vitin 2014, mundësoi demokratizimin dhe stabilitetin politik në Kosovë.

“Procesi deri sa nuk ka pasur kontestime është i rregullt dhe tashmë duhet ndjekur hapat kushtetues dhe ligjor për formimin e ekzekutivit. Certifikimi i zgjedhjeve mbyllet atëherë kur nuk ka asnjë ankesë. Pastaj duhet të caktohet mandatari nga presidenti i shtetit, pritet 15 ditë rundi i parë. I dyti është 10 ditë.  Ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili saktësisht e përshkruan procedurën. Është vendimi që më së shumti ka kontribuar stabilitetin politik dhe institucional, sado që në 2015 mua më akuzonin përfshirë të gjithëve, përfshirë edhe Albinin, mbi bazën e atij vendimi që ka krijuar stabilitet dhe parashikueshmëri. Ai vendim ka përcaktuar se të gjitha koalicionet, të gjitha pazaret, kur t’i ofrohet qytetarit oferta, nuk mund të përmbyset vullneti i qytetarit ditën e shpalljes së zgjedhjeve. Ose kur të shpallen humbësit nuk kanë mundësi të përmbysin rezultatin”, thotë ai.

Hasani sqaron edhe situatën e krijuar në rast të dështimit të partisë fituese për të krijuar institucionet shtetërore.

“Gjykata Kushtetuese ka bërë një diskrecion me supozim gjithmonë që rundi i parë ka shkuar në rregull. Nuk mund të kalohet në rundin e dytë pa u rregulluar rundi i parë deri në fund dhe pa u konstatuar që janë ndjek procedurat kushtetuese. Atëherë në rundin e dytë gjithmonë në konsultime me forcat politike mund t’i jepet dikujt nëse ato forca pajtohen për t’i dhënë dritën e gjelbër një propozimi tillë. Sepse Presidenti duhet të mbajë qëndrim neutral. Unë kam dëgjuar marrëzi në 2015, por edhe tash se kush i ka 61 nënshkrime, sepse ajo është ndërhyrje në lirinë e votimit, të drejtës së deputetit. Ku e din dikush që votojnë 61 deputetë në parlament. Do të thotë është një imponim. Është një situatë në të dytën herë kur partitë frikësohen të shkojnë në zgjedhje dhe binden se i pari nuk po mund të ndërtojë qeverinë dhe mund t’i jepet e drejta, por jo me nënshkrime. Ajo është barbari dhe nuk lejohet”, thotë ai.

Profesori Hasani në këtë intervistë për EO, foli edhe për pasojat e mundshme të prodhuara nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Këshillon politikanët që të mos angazhohen në një marrëveshje e cila ka për qëllim shkëmbimin e territoreve.

“Është vështirë të spekulohet por duhet të gjithë të angazhohet që marrëveshja mos me qenë territorialisht e bazuar. Mos me prek territore sepse në qoftë se Kosova e humb veriun pjesa tjetër e Kosovës bëhet jo funksionale dhe mbetet veç me mbjell patate, s’ka asnjë vlerë si shtet dhe do të jetë tërësisht i paqëndrueshëm. Organikisht ajo pjesë është ekonomi pyjore, ujore, energjetike, minerare dhe rivitalizimi i veriut e tërheq Kosovën përpara në zhvillim ekonomik sikur dikur që ka qenë për lakmi. Në këtë kuptim unë e shoh tragjike kushdo qoftë që bën pazare të tilla dhe zgjidhja e problemit tonë me serbët dhe Serbinë duhet të nisë prej asociacionit dhe modaliteteve të pafund që ekzistojnë sot nëpër botë”, thotë ai.

Hasani: Procesit të Vettingut duhet t’i nënshtrohen të gjithë politikanët

Njohësi i kushtetutës, Enver Hasani, thotë se Kosova duhet sa më parë të fillojë procesin e Vettingut.

Thotë se më shumë se sistemi i drejtësisë, është politika që ka nevojë për një proces të filtrimit.

Ai propozon që secili person që synon kuvendin dhe ekzekutivin duhet fillimisht t;i nënshtrohet procesit të Vettingut, në mënyrë që të bëhet e ditur prejardhja e pasurisë së tyre.

“Kur është votuar Ligji në Komisionin e Venecias për Vettingun unë kam qenë përfaqësues i Kosovës atje dhe i vetmi që kam fol dhe e kam përkrahur më ‘mish e me shpirt’ dhe unë edhe sot e përkrahu një vendim të tillë. Sot besoj që vendet e Ballkanit kanë nevojë për një proces të tillë. Kosova duhet ta ndjek rrugën e Shqipërisë dhe duhet që atij ligji t’i ndryshohet titulli dhe ai proces të nisë ‘sahat e para’. Mendoj që në të ardhmen duhet që projektligji të saktësojë që t’u ndalohet hyrja në politik, në kuvend atyre që nuk mund të arsyetojnë prejardhjen e pasurisë. Sepse politika po prodhon drejtësi korruptive. Kjo do të ishte goditja më e madhe dhe pastrimi më i madh që mund t’i bëhet skenës politike”, përfundon ai.

Të ngjashme