Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka premtuar përkrahje për prodhuesit dhe ekonomitë e Kamenicës, derisa premtoi që në vitin 2019 do të fillojë investimi për një zonë ekonomike.
Ministri Bajrami, këto komente i bëri gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, raporton Ekonomia Online
“Biseduam për problemet, punët dhe zhvillimin e komunës. Ne jemi të vendosur që aty ku mundemi, t’i mbështesim prodhuesit dhe ekonomitë. Një ndër elementet që duhet të krijohen janë zonat ekonomike, sepse edhe për thirrjen e institucioneve është pika e parë që t’u jepet hapësirë dhe mundësi. Edhe në Komunën e Kamenicës pjesën e Anamoravës jemi të interesuar që të krijohet një zonë ekonomike, t’u jepet mundësi bizneseve lokale”.
“Ne presim nga komuna që të bashkëpunojmë dhe nëse ecin procedurat ne zotohemi që në vitin 2019 do të filloj investimi për një zonë ekonomike. Kjo mbështetje e prodhuesve dhe masat mbrojtëse që kemi marr do të ndihmoj kompanitë vendore”, tha Hasani.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ndërkohë, tha se komuna është e gatshme të ndjekë të gjitha procedurat për fillimin e një zone ekonomike.
“E njoftuam për gjendjen e Kamenices si janë trendët para dhe pas luftës. Diskutuam se si interesimi i ministrisë është me i ndihmu prodhues vendor. Gjithashtu, diskutuam edhe për çështjen e zonave ekonomike, sepse ne jemi një prej komunave që jemi afër me tregun e Evropës dhe morëm premtim që do ta kemi mbështetjen e ministrisë”.
“Ministri tregoi që e ka vullnetin dhe dëshirën për të na ndihmuar. Ne do ti ndjekim procedurat për me bë shpronësimin”, theksoi Kastrati, raporton Ekonomia Online.