Dardan Hasku nga kompania “Dardha Solution”, është shprehur se partitë politike do të duhej që në këto zgjedhje të orientoheshin në të bërit fushatë nëpër rrjete sociale dhe jo si rëndom tradicionale.
Ai ka thënë se kjo praktikë do të kishe edhe kosto më të ulëta financiare dhe do të ishte shumë më shumë efikase, njofton Klan Kosova.
“Kosova është prej shteteve që ka shtrirjen më të madhe të përdorimit të internetit në Evropë. Edhe në zonat më të thella ka qasje në internet. Këtu ka mundur të ndikojë shumë edhe diaspora. Rrjetet sociale… fushata është më efikase, ka kosto më të ulët…”, është shprehur Hasku.
“Prapë mendoj se rëndësi më të madhe duhet dhënë rrjeteve sociale sepse targetimi i audiencës për postime të caktuar e bën shumë më të lehtë. Nëse ke postim për biznes ose pjesë të programit të biznesit, nëse e shfaq në formë tradicionale e vendos një ‘banner’ ose ‘billboard’ por në rrjete sociale targeton njerëzit sipas moshës, gjinisë dhe sheh se sa është lexuar programi yt”.
“Partitë janë duke kursyer në PR (publik relations). Pandemia i ka goditur partitë dhe rezultati po dihet deri diku. Po kursejnë dhe po investojnë në forma të tjera. Kompanitë si ne që merren marrëdhënie me publikun ka pasur interesim më të vogël nga partitë sesa në zgjedhjet paraprake”.