Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka qëndruar sot pasdite në komunën e Prizrenit.
Aty ai u prit nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, bashkë me disa prej deputetëve të komunitetit jo serbë.
Më herët, Borrelli bëri një shëtitje në qendrën e qytetit të Prizrenit. Pas takimit, ai nuk u prononcua për gazetarët.
Kurse Haskuka tha se kryediplomatit evropian, Josep Borell, i pëlqeu shumë qyteti i Prizrenit. Ai shtoi se spanjollit ia tregoi çezmën e Shatërvanit dhe historinë e saj.
Haskuka tha se e njoftoi spanjollin lidhur me historikun e qytetit dhe bashkëjetesën mes komuniteteve.
Mes tjerash, kreu i Komunës së Prizrenit tha se në takim me Borrelin diskutuan lidhur me projektet e përbashkëta që kanë me BE-në.