Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka folur për gjendjen me Covid-19 në këtë komunë. Ai thotë se gjendja e të infektuarve që po mjekohen në spitalin rajonal është e rëndë. Haskuka mendon se masat e ndërmarra nga ekzekutivi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit nuk kanë treguar efekt pozitiv.
Thotë se përveç tjerat në spitalin e qytetit po përballen edhe me mungesë stafi për shkak të numrit të lartë të të infektuarve në personelin shëndetësorë.
‘Para një jave kur vizitova spitalin e Prizrenit gjendja ishte kritike pasi personat që gjendjen në oksigjenoterapi zakonisht mbikëqyren nga specialistë-anesteziologë dhe në atë kohë nga 10 anesteziologë pesë kanë qenë të infektuar ose në izolim dhe dy në oksigjenoterapi në gjendje të rëndë. Fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar por shpesh ka probleme edhe me numrin e të infektuarve në staf”, tha Haskuka për RTV Dukagjini.
Haskuka kritikon masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë duke thënë se nuk kanë treguar efekt. Prizreni aktualisht është në zonën e verdhë të rrezikshmërisë.
“Edhe pse janë marrë këto masa numri i të infektuarve është gjithnjë në rritje dhe mendoj që nuk kanë qenë aq efikase lidhur me zvogëlimin e numrit të rasteve. Mbetet te IKSHPK dhe ekspertët që të vlerësojnë këto çështje”, tha Haskuka.
Ai thotë se koncentrimi duhet të shkojë drejt zbatimit të masave individuale.
“Unë që nga fillimi kam qenë që ne të shkojmë në edukimin e popullatës në aspektin e asaj që popullata të mbrohet me masa individuale ngase masat kolektive në shumë vende të botës nuk kanë treguar efekt”, shtoi ai.
“Duhet të koordinohen të gjitha masat, s’ka kurrëfar ekefkti karantinimi pas orës 19:00. Nuk duhet të marrim masa vetëm sa për “sy e faqe” por masa efektive’, theksoi Haskuka.
Ai kërkoi që në komunën e Prizrenit të bëhen më shumë teste në këtë komunë. Ai gjithashtu u ankua se ndodh që deri në pesë ditë nuk dalin rezultatet e testeve.