Mytaher Haskuka, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, ka thënë se e ka ditur se do të jetë fitues i kësaj gare.
Në Interaktiv të KTV-së, Haskuka ka thënë se nuk ka pasur ndonjë ekses të madh gjatë ditës së djeshme të votimit, duke i përmendur vetëm disa raste jo-serioze.
Ai thotë se do të ketë rinumërim në disa prej kutive të votimit dhe thotë se rezultati që ka partia e tij është më i thellë se ai që e jep KQZ.
“KQZ, pas numërimit të 100 për qind votave më ka pozicionuar të parin me 329 vota përpara. Mirëpo, sipas rezultateve tona jam 440 vota përpara Shaqir Totajt të PDK-së”, ka thënë Haskuka.
Ai ka përmendur edhe votat me kusht dhe ato të diasporës, që sipas tij nuk do ta ndryshojnë rezultatin aktual final.
“Përfundimisht, them se rezultati nuk do të ndryshojë në Prizren dhe unë jam fitues i garës”, tha ai.
Haskuka thotë se gjatë fushatës për raundin e parë, kanë pasur vetëm 1 për qind të billbordeve në qytet, ndërsa pjesën tjetër thotë ta ketë pasur PDK. Por, në raundin e dytë, Haskuka thotë se ai nuk ka pasur asnjë billbord, e kundërkandidati i tij ka pasur shumë.
Vendimtare thotë të ketë qenë angazhimi i aktivistëve të Vetëvendosjes.
Kandidati i VV-së thotë se ka qenë një zhgënjim i qytetarëve të kësaj komune me qeverisjen e kaluar, gjë e cila ka ndikuar në rezultatin pozitiv ndaj tij. Përmend edhe angazhimin e Albin Kurtit.
“Falënderoj Hatim Baxhakun, i cili ka dalë publikisht, edhe përkundër vendimit të Qendrës së LDK-së në Prishtinë për të mos përkrahur asnjë kandidat. Ai ka dalë hapur në përkrahjen time. Po ashtu edhe anëtarët e kryesisë së LDK-së që kanë punuar në fitoren tonë. E po ashtu edhe Zafir Berishën e Nismës, i cili ka besuar se do të ketë ndryshime në Prizren”, ka theksuar Haskuka.
Ai tha se AKR e AAK, sikurse edhe partitë tjera të vogla, edhe pse nuk kanë pasur shumë vota në rundin e parë, kanë ndikuar në fitoren tonë.
“Besoj se do të kemi bashkëpunim zyrtar me LDK-në me të marrë mandatin. Me Nismën veçse kemi. Prizreni do të jetë shembull i bashkëqeverisjes”, tha Haskuka.
Haskuka u shpreh i hapur që t’ia ofrojë postin e nënkryetarit të Komunës Hatim Baxhakut dhe tha se ai meriton pozitë më të mirë në parti.