Pas dridhjeve të shkaktuara nga tërmeti me epiqendër në Shqipëri, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot ka mbajtur një takim emergjent dhe konsultues me ekipet e sigurisë, emergjencës dhe drejtoritë përkatëse, për të vlerësuar situatën aktuale dhe për të marrë hapat e mëtutjeshme për veprim.
Fillimisht nga ana e Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë dhe Spitalit Rajonal, u raportua se në Prizren dhe rajon nuk ka pasur dëme të raportuar nga ky tërmet, derisa ekipet e tyre kanë në dispozicion kapacitete të mjaftueshme për t’i menaxhuar rastet emergjente.
Me këtë rast u formua edhe ekipi me plan emergjent, i cili do të qëndrojë në gatishmëri dhe do të jetë në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha organet përgjegjëse për të interventuar në raste emergjente.
Ndërkaq, duke i vlerësuar dëmet që janë shkaktuar në Shqipëri, nga ana e kryetarit u dha vendim që një autoambulancë e pajisur me mjete të ndihmës së shpejtë dhe ekip mjekësor të nisen drejt zonës së prekur nga tërmeti në Shqipëri, kurse në gatishmëri do të jetë edhe automjeti i zjarrfikësve. Njëkohësisht nga ana e Komunës u nda edhe një buxhet i konsiderueshëm për t’i ofruar ndihmë personave të prekur me anë të pakove ushqimore dhe veshmbathjeve.
Në anën tjetër, Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale morri përsipër që të bëjë organizimin e grumbullimit të ndihmave nga qytetarët për t’i dërguar ato më pas në Shqipëri, derisa nga Drejtoria Komunale e Arsimit u udhëzuan të gjithë drejtorët e shkollave, që të jenë në gjendje gatishmërie dhe të japin udhëzime tek nxënësit se si të veprohet në raste të tilla emergjente kur ndodhin tërmetet.
Në takim gjithashtu u bë i ditur se alarmi i sigurisë në qytet është në funksion dhe ai mund të aktivizohet në raste kur mund të ndodh tërmeti me shkallë të lartë, në mënyrë që të njoftohen qytetarët për t’i liruar shtëpitë dhe banesat e tyre duke dalur në hapësirat e jashtme për të qenë më të sigurtë.