Një vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) ka bërë që avokatët në gjithë vendit në hyjnë në bojkot të përgjithshëm, e si pasojë kanë dështuar numër i madh i seancave gjyqësore.
Ky bojkot vlen për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe policinë, kjo deri në tërheqjen e urdhëresës dhe rekomandimit nga KGjK-ja në lidhje me kufizimin e qasjes së avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës pa ftesa apo pa leje.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Osman Havolli i tha Ekonomia Online se me këtë vendim është cenuar pavarësia e avokatëve në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive.
Havolli ka sqaruar se bojkoti do të vazhdojë ngase sipas tij, vendimi i KGjK-së është i pabazë. Madje ai ka thënë nëse ky institucion arrijnë t’i bind se ka bazë juridike vendimi do ta shqyrtojnë.
“Bojkoti i avokatëve ka ardhur si pasojë e një urdhëresë të cilën e ka lëshuar Gjykata Themelore e Prizrenit, të cilën e ka aprovuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe me këtë është cenuar pavarësia e ushtrimit të profesionit të avokatisë dhe pavarësia e avokatëve në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive që kanë cenuar të drejtën e qasjes në drejtësi”.
“Është një ndër parimet themelore qasja në drejtësi, promovimi i sundimit të ligjit dhe zbatimit të kushtetutës dhe akteve të tjera nënligjore nënkuptojnë edhe cenuar të këtyre të drejtave”.
“Janë prekë bazat, themelet e funksionimit të saj dhe si reagim i gjithë kësaj Këshilli Drejtues, ka qenë unanim që ky rekomandim dhe kjo urdhëresë duhet të tërhiqet, për faktin se janë kundërligjore, të papranueshme dhe nuk kanë kurrfarë baze juridike që të qëndrojnë më tutje”.
“Absolutisht vazhdon bojkoti. Çka t’iu them unë kur sipas kësaj urdhërese unë çdoherë duhet t’i nënshtrohem pyetjeve në hyrje të gjykatës, ku shkon, te kush shkon dhe çka kërkon. Këto pyetje mund t’i bëhen të pandehurit, të akuzuarit, në proces gjyqësor. Avokati është një lider i vërtetë i cili e ushtron punën, profesionin”.
Sipas tij, ka disa keqkuptime në interpretimin e çështjeve që ndalohet takimi mes avokatit dhe gjyqtarit. Havolli ka shtuar se avokatëve po iu kërkohet që të marrin leje që të hyjnë në “shtëpinë” e tyre, raporton EO.
“E ka lejen, e ka licencën, e ka legjitimacionin, e ka kredibilitetin, duhet ta ketë autoritetin, duhet ta ketë qasjen në drejtësi. Përtej asaj, ne i kemi zyrat brenda Pallatit të Drejtësisë. Nuk i kam numëruar, por nëse nuk gaboj duhet të jenë më tepër se 24 zyre të avokatëve dhe nuk kam nevojë unë të kërkoj leje se a mund të hyjë në korridor, në zyrën time që është brenda Pallatit të Drejtësisë, d.m.th a mund të hyjë unë në shtëpinë time”.
“Mendoj se këtu ka disa keqkuptime në interpretimin e çështjeve që ndalohet takimi mes avokatit dhe gjyqtarit. Këto kufizime ekzistojnë në aspektin juridiko-profesional, në aspektin funksional, në aspektin teknik nuk mund të kufizohem nga fakti se unë kam nevojë që të marr një aktakuzë që nuk është dorëzuar prej prokurorisë, të bëjë një parashtresë, ta kërkoj procesverbalin, të bëjë parashtresa të ndryshme. Unë kërkoj që të shkojë në zyre të gjyqtarëve, por nuk shkoj në zyre të gjyqtarit. Sigurisht e kontaktoj personelin teknik”.
“Janë çështje tipike funksionale, nuk është çështje e interferimit të ndërhyrjes në drejtësi. Këtu duhet ta kenë vëmendjen, këtu duhet ta kuptojnë. Avokatët nuk janë ata që futen me vrull, me vetë faktin se u hap dera do të futen edhe tek gjyqtari ta pengojnë punën e tij, absolutisht jo. Edhe unë e kam këtë pyetje, si mund të shtrihet një vendim regjional në tërë territorin e Kosovës. Kjo është pyetje që kërkon sqarime”.
Ai ka shtuar se avokatët janë të mllefosur dhe se gjendja aktuale nuk mund të kapërdihet më tutje, nuk sepse avokatët janë ngulfatur.
“Nëse arrijnë ata të më bindin se kanë të drejtë, unë po them që kanë të drejtë. Por në fakt sigurisht që argumentet janë në favor të avokatëve. Nga pozita ime, edhe si kryetar, edhe autorizimet dhe kompetencat që i kam, shumë vështirë e kam që të shpreh një lloj pakënaqësie, një lloj mllefi kaq të madh që është akumulua te avokatët, me të drejtë. Por, nuk mund të kapërdihet më tutje, nuk mund të absorbohet sepse avokatët janë ngulfat”.
“Jemi në kuadër të standardeve, nuk kemi dalë jashtë rregullave ligjore apo rregullave të lojës. Kjo po, kjo është jashtë krejt. Nuk ka autoritet, nuk ka kompetencë, le të ma tregojë bazën juridike po ndalemi po e analizojmë, a kanë pasë të drejtë, a s’kanë pasë të drejtë”.
Kryetari i Gjykatës Themelore Prizren Ymer Hoxha, me datë 08 gusht 2018, kishte lëshuar Urdhër, ku nuk u lejohej hyrja e avokatëve në objektin e Gjykatës pa ftesa, por edhe palëve dhe personave tjerë u ndalohej hyrja nëpër Gjykatë dhe Zyre të gjyqtarëve, pa ftesa apo pa aprovimin dhe lejen e kryetarit të Gjykatës apo pa leje të gjyqtarit.
Sipas njoftimit të dërguar nga Këshilli Gjyqësor, sqarohet se në mbledhjen e mbajtur me datë 27 dhjetor 2018, Këshilli ka shqyrtuar kërkesën e Arianit Salihut, ushtrues detyre i Zyrës së Prokurorit Disiplinor.
Këshilli Gjyqësor ka vlerësuar se Vendimi i Kryetarit Ymer Hoxha, në lidhje me kufizimin e qasjes së avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës pa ftesa apo pa leje, është në përshtatshmëri me Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave dhe nën kompetencën e kryetarit të Gjykatës, thuhet në njoftim.
Këshilli Gjyqësor i ka rekomanduar që të njëjtin vendim ta praktikojnë edhe nëpër të gjitha Gjykatat tjera.
Këshilli Drejtues i OAK më datë 5 janar në mënyrë unanime ka vlerësuar që Urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren dhe rekomandimi i KGJK-së paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshme.