Kryeshefit ekzekutiv i ndërmarrjes publike lokale ‘Prishtina Parking’, Sokol Havolli, ka folur për Ekonomia Online në lidhje me përleshjen që ka ndodhur mes dy punonjësve gjatë Darkës së Fundvitit, të organizuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes.
Havolli tha se nuk ka qenë prezent në kohën kur ka ndodhur ngjarja por që më pas është lajmëruar nga punonjësit e tjerë dhe më të marr informacion rastin e ka paraqitur në polici.
Havolli përmes telefonit i tha EO-së së sot gjatë ditës ka vizituar të lënduarin dhe sipas tij i lënduari është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Po ka ndodhur një përleshje, unë nuk kam qenë prezent por jam lajmëruar nga punonjësit. Rastin e kam lajmëruar menjëherë në polici. Mendojë që ka qenë përleshje e çastit. Unë e kam vizituar të lënduarin gjatë ditës, është në gjendje të mirë shëndetësore. Nuk mund të them më shumë, rasti është duke u hetuar nga policia” tha ai.
Edhe policia, në raportin 24-orësh, ka konfirmuar për rastin. Ajo ka njoftuar për arrestimin e njërit prej punonjësve.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se pas një mosmarrëveshje është përfshirë në rrahje me viktimën mashkull kosovar”, ka thënë Policia e Kosovës.
Policia ka thënë se viktima për shkak të lëndimit iu është nënshtruar një intervenimi kirurgjik dhe është duke u trajtuar në QKUK.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh të mërkurën.