Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sokol Havolli, i ka ofruar dy zgjidhje kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në lidhje me çështjen e vendosjes së flamurit të Kosovës te rrethi që tashmë po njihet si “rrethi i flamurit”.
“Tash, Kryetar, i ke dy zgjidhje: vendose flamurin e Republikës së Kosovës para orës 15:00, e hënë 12 shkurt, ose do të kërkoj përsëri nënshkrimet e anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës për seancë të jashtëzakonshme, nga nesër, që të miratojmë procedurën/rregulloren apo protokollin që e obligon ekzekutivin që të mirëmbajë flamurin e Republikës së Kosovës në lokacionet e caktuara”, ka shkruar Havolli në një postim në Facebook, raporton Koha.net.
Ai shfaq bindjen e tij se për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, “edhe në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë do të vendoset flamuri i Kosovës, e leje më në Prishtinë”.
Mirëpo, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, në një prononcim për mediet lokale, ka thënë se vendosja apo heqja e flamurit tek ai lokacion nuk është në kompetencë të komunës që ai drejton.