Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli ka thënë se disa zyrtarë komunal të LDK-së në Malishevë kanë kaluar në iniciativën e Vjosa Osmanit.
Avdyli thotë se Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Malishevë, Rrahim Morina bashkë me dy asambleistë të LDK-së i janë bashkuar “kauzës së ndryshimit”.
“Kryesuesi i asamblesë komunale në Malishevë Rrahim Morina , njëherësh kryetar i nëndegës së LDK-së Astrazub, asambleisti Valon Krasniqi , kryetar nëndege në Bardh dhe Arlind Morina asambleist i bashkohen kauzës sonë të ndryshimit. Vazhdojmë…”, ka shkruar Avdyli në Facebook.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të dërguar vendin në zgjedhje, në iniciativën e Vjosa Osmanit kanë kaluar edhe disa asambleistë të LDK-së nga Mitrovica dhe Ferizaj.
Ende nuk dihet fati i iniciativës së Vjosa Osmanit nëse do të garojë me një listë të sajën zgjedhore apo do t’i bashkohen listës së Vetëvendosjes.
Deri më tani ka pasur deklarata nga dy kampet për bashkëpunim, mirëpo ende nuk ka ndonjë konkretizim se si do të bashkëpunoj Vjosa Osmani me Vetëvendosjen.