Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur shqetësimin për trajtimin jo të duhur të veprës penale të fajdes në Kosovë. Në një postim në Facebook, ajo ka bërë të ditur se nga 1,752 persona që mbahen aktualisht në institucionet korrektuese të vendit, vetëm 4 janë të dënuar për fajde, ndërsa 8 të tjerë ndodhen në paraburgim.
Sipas Haxhiut, ky realitet është alarmues dhe tregon për mungesën e seriozitetit institucional në përballjen me këtë fenomen që ka pasoja të rënda sociale dhe shpesh tragjike.
“Këto nuk janë thjesht vepra të izoluara, janë pjesë e një zinxhiri kriminal që godet më të pambrojturit dhe kontribuon në një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri”, shkruan ajo.
Ministrja kërkon rishikim urgjent të politikave ndëshkimore dhe forcim të hetimeve dhe ndjekjes penale për fajde. “Nuk mund të flasim për një shtet të së drejtës derisa kriminelët ecin të lirë, ndërsa viktimat jetojnë në frikë dhe pasiguri”, thekson Haxhiu.