Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe këshilltarja e ministres Nazlie Balaj, pritën në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, Ariana Qosaj dhe Adelina Berisha, udhëheqëse e programit Kundër Dhunës në Baza Gjinore.
Ministrja Haxhiu i njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e ka vendosur prioritet të saj adresimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore dhe se do të angazhohet që edhe institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë me seriozitetin e duhur çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe atë në baza gjinore.
Si e tillë, sot të dy palët u dakorduan për të filluar amendamentin e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, i cili duhet të harmonizohet me kërkesën e Konventës së Stambollit, tashmë të zbatueshme në Kosovë, duke nënkuptuar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore.
Po ashtu, pajtueshmëri nga ky takim kishte edhe për inicimin e draftimit të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër dhunës në familje 2021-2025, e cila në harmoni me ndryshimet në ligj, do të jetë gjithëpërfshirëse për të trajtuar edhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore.
Gatishmëri u shpreh edhe për themelimin e sekretariatit si mekanizëm mbështetës për Zyrën e Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen Kundër Dhunës në Familje.
“Hapa të bashkërenduar për të aspiruar drejt një shoqërie më të lirë, më të zhvilluar dhe më të barabartë, institucionet e Republikës së Kosovës respektivisht Ministria e Drejtësisë do t’i trajtojnë me konsideratë çdoherë kontributet e tilla nga shoqëritë civile të cilat janë përherë të mirëseardhura”, thuhet nga MD.
Për më shumë angazhim në këtë drejtim, palët u pajtuan që të mbesin edhe më tutje në komunikim gjatë periudhës së ardhme