Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), të premten, ka mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për 70 kandidatë për zyrtarë të rinj korrektues, gjenerata e 44-të.
E pranishme në këtë organizim ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e vlerësoi shumë të rëndësishëm rolin e Shërbimit Korrektues.
“Jemi duke bërë përpjekje maksimale për përmirësime në fushën e drejtësisë. Ne deri më tani kemi marrë fuqizime të programeve rehabilituese. Ndërsa për këtë vit, buxheti është më i lartë se herët e tjera, diku 10 milionë, dhe për këtë Kosova po arrin të vlerësohet edhe në raportet ndërkombëtare”, deklaroi Haxhiu.
Duke folur para gardianëve të ardhshëm, Haxhiu tha se qëllimi i shërbimit korrektues është që personat e dënuar kur të dalin në liri të jenë te dobishëm për veten e tyre dhe shtetin.
“Ju duhet që t’i trajtoni të burgosurit me dinjitet. Ne si shoqëri po ecim përpara për të forcuar shtetin në përgjithësi. Ju inkurajoj që punën ta kryeni me nderë e përgjegjësi”, shtoi Haxhiu.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i ShKK-së, Ismail Dibrani, tha se nuk kishte si të niste më mirë ky vit i ri.
“Mesazhi im për juve sot do të ishte mos e shkelni ligjin… Por nuk mjafton vetëm kjo, por kërkohet energji e angazhim”, deklaroi Ismaili.
Ai përmendi edhe buxhetin duke thënë se është më i lartë sesa vitin e kaluar.
Zyrtarët e rinj nga e hëna do të fillojnë trajnimin shtatëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ndërsa pas përfundimit pritet të fillojnë angazhimin e tyre në Burgun e Sigurisë së Lartë, Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.