Haxhiu: Dhuna ndaj grave pengesë e madhe për zhvillimin shoqëror

Prishtinë | 04 Dhj 2024 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me partnerin implementues OJQ Assist Kosova, ka organizuar diskutim të nivelit të lartë në formë të tryezës së rrumbullakët me temë “Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave: Politikat dhe avokimi. Zbatimi dhe rruga përpara”, raporton Ekonomia Online.

Emily Rakhorts nga EULEX ka folur për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe  për rëndësinë e zbatimit të Konventës së Stambollit, ndonëse përmendi se Kosova ka treguar përkushtim ndaj hartimit të saj, sa i përketë dhunës në familje.

Ajo theksoi se gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me dhunë në familja, në punë e komunitet, derisa shtoi se varësia ekonomike përkeqëson gjendjen e tyre.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se dhuna ndaj grave duhet të jetë temë që na për bashkon si shoqëri dhe institucione. “ Kemi dhënë kontribut, kjo nuk është vetëm një çështje që prek individë por dhe shoqërinë tonë në tërësi”, tha Haxhiu

Ajo ka thënë se dhuna ndaj grave është një pengesë e madhe për barazinë gjinore, për drejtësinë dhe për zhvillimin shoqëror.

Haxhiu tha se për parandalimin e dhunës ndaj grave janë miratuar sërë masash, si dhe në këtë drejtim ka theksuar se është plotësuar protokolli për trajtimin e dhunës seksuale.

“Ministrja e Drejtësisë në vazhdimësi ka pasur aktivitete me qëllim të ndërgjegjësimit, sensibilizimit të opinionit për pasojat e dhunës në familje si dhe kemi bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e dhunës në familje të trajtohen me prioritet, të mos paragjykohen, të mos neglizhohen”, tha ajo.

Haxhiu theksoi se viktimat mbrohen nga shteti.

Ndërsa, Arbnesh Ajvazi nga Policia e Kosovës tha se dhuna në familje është bërë tashmë dukuri që kërkon vëmendjen e të gjithëve si dhe një qasje shumë profesionale.

Të ngjashme