Haxhiu: Drejtoresha e ShSKUK dha dorëheqje pasi e kuptoi se do shkarkohej

Prishtinë | 27 Jan 2023 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se Pranvera Zejnullahu – Raçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), pasi e kishte kuptuar se do të shkarkohej nga bordi.

Haxhiu vlerësoi se kjo dorëheqje do të duhej të ndodhte kohë më parë. Madje, ai vlerësoi se Zejnullahu-Raçi është njëra nga viktimat e këtij bordi, të cilin e cilësoi si të papërgjegjshëm.

“Realisht Pranvera Zejnullahu-Raçi do duhej të jepte dorëheqje më herët për shkak të skandaleve të një pas njëshme të cilat pasuan në sektorin e shëndetësisë. Derisa nuk kishte një reflektim të dorëheqjes morale, dorëheqja e saj e djeshme ishte për shkak të paralajmërimeve të bordit se do të shkarkohej Pranvera Zejnullahu-Raçi. Këto informacione janë nga brenda ShSKUK-ja, realisht është njëra nga viktimat e radhës të këtij bordi të ShSKUK-së të papërgjegjshëm, një bord i cili po keq menaxhon me sektorin e shëndetësisë, një bord i cili raporti i auditorit i ka gjetur një mori shkeljesh dhe bord i cili lind dyshime për shumë afera korruptive brenda sektorit të shëndetësisë”, deklaroi Haxhiu në emisionin “Ditari”.

Ndërkaq, sa i përket mungesës së barnave, Haxhiu theksoi se teprojnë 1.3 milionë euro buxhet nga ky sektor.

Haxhiu po ashtu njoftoi se Ministria e Shëndetësisë veçse ka filluar revidimin e listës së barnave esenciale.

“Ajo çka po dihet për brenda ShSKUK-së, është se Ministria ka filluar revidimin e listës së barnave esenciale dhe kjo duhet të jetë njëra nga presionet në të cilën po vendosen drejtorët dhe persona përgjegjës për brenda ShSKUK-së. Ndërsa, në listën e këtyre barnave do të futen produkte të cilat kanë interes grupe të caktuara të interesit”, potencoi më tej Haxhiu.

Kujtojmë se Pranvera Zejnullahu-Raçi u emërua në pozitën e ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së SHSKUK-së në gusht të këtij viti.

Të ngjashme