Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se me qëllim të tejkalimit të situatës, në momentin e parë që jepet mundësia duhet të iniciohet ligjin Anti-Covid-19.
Sipas tij, inicimi i Ligjit Anti-Covid-19 nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi nuk do lejonte politizim të situatës, por do të ndihmonte menaxhimin e saj, sepse do të parashiheshin masat parandaluese dhe ndëshkuese në rast të mosrespektimit të Ligjit.
Në fillim të muajit Qershor kam tërhequr vëmendjen se situata me pandeminë mund të eskalojë, në veçanti pas lirimit të masave pa kritere të qarta, me organizim protestash, me moszbatim të rekomandimeve të IKSHPK-së.
Tani nëse vazhdohet me këtë moskujdes dhe “trimëri” me coronavirusin situata mund të bëhet e pamenaxhueshme.
Nuk është momenti për politizim të situatës dhe as për të kërkuar fajtorin në Qeverinë Kurti apo Hoti, por është momenti i fundit që të gjithë bashkë të përcjellim mesazhin për mbrojtje të shëndetit dhe jetës së popullatës.
Me qëllim të tejkalimit të situatës si anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, në momentin e parë që na jepet mundësia si Komision Parlamentar duhet të inicojmë Ligjin Anti-COVID-19. Inicimi i Ligjit Anti-COVID-19 nga Komsioni Parlamentar për Shëndetësi nuk do lejonte politizim të situatës, por do të ndihmonte menaxhimin e saj, sepse do të parashiheshin masat parandaluese dhe ndëshkuese në rast të mosrespektimit të Ligjit.
Në situatën aktuale për shkak të nevojave të qytetarëve për të lëvizur jashtë vendit, Ministria e Shëndetësisë duhet të lejoj që testi për COVID-19 të bëhet edhe në laboratoret private për qytetarët që nuk kanë simptoma apo që nuk janë raste kontakti, por që për nevoja të udhëtimit iu duhet vërtetimi që kanë bërë testin për COVID-19. IKSHPK të vazhdoj testimet për pacientët me simptoma dhe rastet e kontaktit.
Me 2991 raste me COVID-19, 54 raste të vdekjes në Kosovë, 1293 raste aktive, situata mund të bëhet e pamenaxhueshme.
Për vetëm një muaj numri i rasteve pozitive me COVID-19 pothuajse është trefishuar, deri më 1 Qershor ishin 1110 raste pozitive, ndërsa me 1 korrik janë rexhistruar 2991 raste pozitive. Ishin 30 raste të vdekjes, tani janë 54 raste. Ishin 263 raste aktive sot janë 1293 raste aktive me COVID-19.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së të krahasuara me ato të publikuara në “Ëorldometers” deri më tani në Kosovë janë rexhistruar 2991 raste pozitive me COVID-19, respektivisht 1643 raste për 1 milion/banorë. Krahasuar me të dhënat nga Ëorldometers, tani janë 148 vende të botës që e kanë sëmundshmërinë më të ultë për 1 milion/banorë se sa Kosova. Kemi kaluar mesataren botërore me rastet e sëmundshmërisë.
Janë rexhsitruar 54 raste të vdekjes nga COVID-19, respektivisht 30 raste të vdekjes për 1 milion/banorë. Janë 141 vende të botës që e kanë vdekshmërinë me COVID-19 për 1 milion/banorë më të ultë se sa Kosova, jemi nën mesataren e botës me numrin e rasteve të vdekjes.
Janë bërë 24046 teste për COVID-19, respektivisht 13 207 teste për 1 milion/banorë. Janë 114 vende të botës që kanë bërë më shumë teste për COVID-19 për 1 milion/banorë, se sa Kosova.
Të nderuar qytetarë, ndodhemi buzë një katastrofe pandemike, rreziku është shumë i madh që situata të bëhet e pamenaxhushme.
Ju lutem, situata nuk duhet të neglizhohet, nuk tregohet “trimëri” me coronavirusin, por duhet kujdes, maturi dhe respektim të udhëzimeve të profesionistëve shëndetësorë.
Ju lutem respektoni masat mbrojtëse!
Ju lutem respektoni udhëzimet e IKSHPK-së!
Mos u përshëndetni me shtrëngim duarsh, por me dorë në zemër duke respektuar distancën, mbani dezinfektues me vete dhe përdoreni pas çdo kontakti, mbajeni maskën në hapësira të mbyllura apo në kontakte me persona të tjerë. Kështu parandaloni përhapjen e coronavirusit ndihmoni veten, familjen tuaj, shoqërinë dhe personelin shëndetësorë.
Shëndeti dhe jeta janë më të vlefshme se çdo gjë tjetër në botë.