Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nuk mundën që të gjejnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu ka këmbëngulur se i kanë votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve, por ka theksuar se është e domosdoshme që të zhvillohen konsultime
Ajo tha se letra e presidentes Vjosa Osmani e ka kërkuar këtë, ndërsa shtoi se në një zgjidhje mund të vinin pa pasur konsultime.
“Letra që presidentja i ka drejtuar kryesuesit kërkon të gjendet zgjidhje për të mos u bllokuar konstituimi, dhe për ta gjetur këtë zgjidhje duhen konsultime. Pa konsultime, s’mund të ketë zgjidhje”, ka thënë ajo.
“Ne sot ishim të gatshëm për zgjidhjet e mundshme që mund t’i kemi para vetes. Unë isha e pranishme në këtë takim”, tha Haxhiu, duke pretenduar se duan ta korrigjojnë mosvotimin e raportit të komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
Sipas Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të kontribuojë në çdo zgjidhje të mundshme.
“Si parti politike, duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit. Kemi vullnet që ai gabim të korrigjohet, por duhet të shohim se cila është mënyra më e përshtatshme,” ka thënë ajo, pas siç thotë ajo, një situatë e tillë nuk është e paraparë as në Rregulloren e Kuvendit, as në Kushtetutë apo në ndonjë ligj tjetër.
Ajo tha se duhet të shohin se cila është mënyra e duhur për të proceduar tutje dhe për këtë tha se ishin të gatshëm të propozonin edhe mënyra. Haxhiu përsëriti se një situatë e tillë nuk parashihet as me Kushtetutë dhe as me ligjet e vendit.