Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka mbrojtur Shefen e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të përgjimeve me Slavko Simiqin nga Lista Serbe, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu ka thënë se Kusari-Lila nuk i është bindur asnjë urdhri të Listës Serbe. Sipas saj, përgjimet janë publikuar për të vetmen arsye – për ta shantazhuar Kusari-Lila.
Ajo tutje e ka quajtur të paligjshëm incizimin ndaj Kusari-Lila dhe shtoi se me këtë do të merren edhe organet e drejtësisë.
“Zonja Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëmë tendencën për të shpërfaqur të deformuar dhe duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në kuvend, por fatkeqësisht në mënyrën më të keqe, sepse në vend që të përfaqësojë serbët e Kosovës, Lista Serbe që është themeluar nga partitë opozitare sot, i bindet Vuciqit dhe merret me kërcënime e shtantazhe”.
“Ato që janë publikuar janë publikuar për një arsye të vetme, sepse Lista Serbe nuk ka mundur ti bëjë presion dhe as ta shantazojë shefen e grupit parlamentar të VV-së, sepse po ta kishin efektin e tyre, po të shkonin përpara kërkesat e Listës Serbe, në këtë rast përmes Kusari – Lilës, ato nuk do të publikoheshin. Prej kohës kur është bërë ky përgjim kemi një sërë veprimesh që konfirmojnë sundimin e ligjit në veri të Kosovës”, u shpreh ajo.
Haxhiu foli edhe për Milan Radojiçiqin, i cili ka urdhërarrest nga Kosova, e që në audio-incizimet e publikuara nga Nacionale, raportohet se Kusari – Lila ka biseduar rreth 5 herë me të.
“Radojiçiqi si kriminel nuk guxon të hyjë në territorin e Kosovës, sepse po të hyjë ai do të përballet me drejtësinë. Kusari – Lila nuk ka bërë pazare, nuk shantazhohet e nuk mund të frikësohet nga askush”.
“As unë e as ju s’e keni dëgjuar Kusari – Lilën duke folur me Radojiçiqin. Ju po i referoheni Simiqit. Nëse ju i besoni atij, nuk më vjen keq, unë s’i besoj Simiqit”, tha Haxhiu.