Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhi dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë pasur një përplasje mes vete, në lidhje me punësimin e ministrit në spitalin privat “Olive”, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu e pyeti nëse do t’a braktisë sërish shëndetësinë për të kandiduar për kryetar komune.
Haxhiu kërkoi të di nëse në institucionin privat ka të punësuar edhe ndonjë familjarë i tij.
“A do t’i braktisësh sërish pacientët dhe shëndetësinë? Si e vlerësoni punën e Përparim Ramës? Ju e thatë se antikorrupsioni po merret me juve, a keni pasur marrëdhënie kontraktuale me ‘Olive’ sa ka qenë paga juaj, çfarë pozite keni pasur, a keni punuar vetë apo edhe me ndonjë familjar? Pyetje nuk do të bëj për sektorin publik, sepse asnjë premtim nuk e keni realizuar dhe ju jeni përfaqësues i sektorit privat. Skandalet janë të njëpasnjëshme”, ishin disa prej pyetjeve që Haxhiu ia parashtroi ministrit Vitia. Të fundit e pyeti edhe për pagën që e ka marrë në institucionin privat shëndetësor, “Olive”, para se të emërohej për herë të tretë në pozitën e ministrit të shëndetësisë.
“Pozita ime ka qenë koordinator i cilësisë. Paga ime ka qenë 3.500 Euro bruto. Ju keni thënë se paga ka qenë mbi 5 mijë euro”, ka deklaruar Vitia, duke iu përgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
“Për pyetjen e parë se a do të kandidojë, them se jo, dhe nëse e shikoni intervistën në fjalë i referohem kohës koherente në momentin kur është bërë”, tha Vitia teksa plasi të qeshura në komision.
Vitia, po ashtu, ka treguar se gruaja e tij është e punësuar në këtë spital.
Ministri tutje u shpreh se është fakt që ka punuar gjashtë muaj në një institucionin shëndetësor privat, dhe se lënda e tij është dërguar në agjencinë antikorrupsion, ndërsa theksoi është njoftuar që nuk kanë gjetur asnjë konflikt interesi në lidhje me pozicionin e tij në atë institucion.
“Agjencia anti-korrupsion ka sjell vendim se nuk ka konflikt interesi. Spekulimet tuaja mund të jenë për show politik. Agjencioni anti-korrupsion ka sjell vendim”, tha Vitia.