Haxhiu: Ftesa për Kurtin në Prokurorinë Speciale, përpjekje e vonuar

Prishtinë | 30 Dhj 2024 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar ftesën për kryeministrin Albin Kurti për t’u paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale, duke e quajtur atë një përpjekje të vonuar dhe duke theksuar se Kurti nuk e ka refuzuar dëshminë, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, në qeveritë e kaluara ka pasur korrupsion dhe pasurim të shpejtë të politikanëve, por insistoi se nuk ka asnjë akuzë për korrupsion kundër Kurtit.

Ajo gjithashtu kritikoi vonesën e ftesës për Kryeministrin në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore, duke thënë se janë të njohura arsyet e kësaj vonese.

“Për qeverinë tonë ka rezultate të pafundme, por hajde të flasim për sukseset e Prokurorisë Speciale. Përveç terrorizmit dhe krimeve të luftës, ajo adreson edhe shpërdorimin e parave dhe a ka ndodhur ndonjë rast ku Blerim Jusufaj ka pasur sukses. Unë e di që ka prokurorë shumë të mirë, por problemi qëndron tek personat e lartë, tek Blerim Jusufaj”, tha Haxhiu.

“Kurti nuk ka refuzuar të paraqitet si dëshmitar, por si është e mundur që rasti i rezervave shtetërore, që ka ndodhur vitin e kaluar, po ftohet tani? Në ditën kur po bëheshin listat e deputetëve, qellimet ishin tashmë të qarta. Në qeverinë e kaluar ka lulëzuar korrupsioni, por ne e dimë si janë pasuruar politikanët, askush nuk mund të thotë se kryeministri Kurti është i korruptuar. Por, në të kaluarën janë bërë milionerë politikanët dhe askush nuk merrej me pasurinë e paluajtshme. Kurti nuk ka refuzuar dëshminë, ai ka promovuar ditë dhe datë, dhe ka ndodhur edhe më herët që të pyetet në zyrë”, shtoi Haxhiu.

Të ngjashme