Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, duke i ftuar që BE-ja të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Sipas njoftimit, Haxhiu në letër ka theksuar se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka nxjerrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përcjellë dhe vlerësojë procesin zgjedhor përmes një misioni të pavarur vëzhgues.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian që, përmes një Misioni të pavarur Vëzhgues, të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Haxhiu ka vlerësuar se prania e një misioni të tillë do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë së procesit zgjedhor.
“Prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”, thuhet më tej.
Në komunikatë theksohet se Kosova e ka vlerësuar vazhdimisht rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e institucioneve demokratike dhe avancimin e standardeve zgjedhore.
“Ftesa për dërgimin e Misionit Vëzhgues është vazhdim i kësaj praktike institucionale dhe shprehje e përkushtimit të Kosovës për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të besueshëm”, thotë tutje njoftimi.