Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili të premten ka pranuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit në vitin 2021.
Isufaj ka thënë se tërheqja e urdhërarrestit është bërë me miratimin e tij, por që nuk mund të tregojë arsyet se pse ka ndodhur ajo.
I njëjti është kritikuar nga ministrja Haxhiu, e cila në reagimin e saj ka thënë se drejtësia do të duhej të ishte e pavarur dhe ajo është e pavarur vetëm në sensin ndërinstitucional.
“Jo rastësisht aktgjykimet kanë frazën ‘Në emër të popullit’, sepse sikur secili institucion shtetëror i nënshtrohet vullnetit të shprehur të popullit që i shërben dhe prej nga e merr legjitimitetin. Pra, drejtësia është e pavarur vetëm kur ajo njëmend është në përputhje me vullnetin e popullit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Haxhiu më tej është shprehur se po të mos hiqej fletarrestimi, operimi i Radoiçiqit në veri të Kosovës do të ishte i pamundur.
“Cenimi që Serbia për mbi 20 vjet i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit me në krye akter terrorist si Milan Radojçiq, veriu, siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai”, ka shtuar ministrja.
“Po të mos hiqej fletarrestimi (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarrestimi u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”.
Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës nuk i përket Prokurorisë dhe se ajo sikur secili institucion duhet t’i shërbejë Republikës e vullnetit të popullit.
“Ose nëse ka pasur presione nga dikush nga politika asokohe mos le ta ushtrojë detyrën në mungesë guximi sepse kështu e merr në qafë Republikën. Vullneti i popullit është i qartë: ai do drejtësi dhe shtrirje të rendit e ligjit, pa dallim. Për këtë vullnet breza e breza të tërë janë angazhuar dhe sakrifikuar, mijëra të tjerë kanë dhënë dhe jetën dhe nuk ka njeri në botë kushdo qoftë ai që del dhe na thotë unë ja hoqa fletarrestin Radojçiqit dhe pikë. Kjo nuk kalon!”, ka përfunduar Haxhiu.