Haxhiu kërkoi hetim të pronës në Veternik, Prokuroria Speciale: Deklarim i pavërtetë, tendencioz dhe qëllimkëqija

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka shprehur indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale, demanton deklarimin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bërë sot, duke u shprehur se “është e shqetësuar pasi Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik”.

Prokuroria Speciale informon opinionin publik se rasti për të cilin është deklaruar ministrja në fjalë, nuk është hetuar dhe nuk ka qenë në punë asnjëherë në Prokurorinë Speciale, sipas prokurorisë deklarimi i tillë i ministres Haxhiu, është i pavërtetë dhe tendencioz.

“Prokuroria Speciale, deklarimet e tilla të pavërteta, fatkeqësisht nga ministrja e drejtësisë, i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të Prokurorisë Speciale dhe punës se suksesshme të udhëheqësit të saj, duke vlerësuar se këto deklarime të pasakta, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të kësaj prokurorie”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale, i bën thirrje ministres së drejtësisë dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga ‘deklarime të tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija’.

“Për më tepër, Prokuroria Speciale siguron opinionin publik, se veprimet e tilla të ministres së drejtësisë dhe të kujtdo tjetër, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë që kjo prokurori ta ushtroj mandatin e saj në drejtim të luftimit të kriminalitetit dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale, pavarësisht se kush janë ata”, thuhet tutje.

Të ngjashme