Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Bekim Haxhiu, ka thënë se pavarësisht që është nisur të punohet nga viti 2012 për Ligjin për Transplantim të Organeve, Kosova ende nuk e ka një ligj të tillë.
“Në Raportin e Progresit të 2020 ka qenë një nga kritikat mungesa e Ligjit për Transplantim të Organeve. Në lexim të parë pati kaluar ligji, por në kohën kur ka shkuar në komision – është punuar dhe draftuar – janë bërë amendamentet, në fazën finale ministri [Ferid Agani] e ka tërhequr ligjin me presionin e EULEX. Ka pas ndërhyrje dhe kritikë të EULEX dhe është tërhequr ligji”.
“Është e vërtetë që Ministria e Shëndetësisë e kanë përpunuar këtë ligj dhe deputetët e kanë trajtuar në komision, por mes dy leximesh është tërhequr pas presioneve nga EULEX”, është shprehur Haxhiu, duke folur për periudhën para rreth tetë vjetësh.
Haxhiu në Klan Kosova ka thënë se Kosovë është vendi i vetëm në rajon që nuk ka ligj për transplantim të organeve.
Sipas tij në Kosovë tash bëhet transplantim i flokëve, por jo i organeve vitale.