Haxhiu: Kryeprokurori e di cili ish-kryeministër është intervistuar në zyrën e tij, por nuk po flet

Prishtinë | 10 Jan 2025 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është pyetur se cili është ish-kryeministri që është intervistuar nga prokuroria në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, ajo ka thënë se kjo është pyetje për Kryeprokurorin Blerim Isufaj dhe se ai duhet të japë përgjigjen, pasi, sipas ministres, e di shumë mirë, raporton Ekonomia Online.

“Nuk mendoj që është në rregull që një përgjigje që duhet ta merrni nga Blerim Isufaj ta kërkoni nga unë. Blerim Isufaj e di shumë mirë se kush nga prokurorët ka shkuar në zyrën e kryeministrit, por ai nuk flet për këtë. Nuk është korrekte dhe e drejtë ndaj meje që të insistoni për një përgjigje që s’po mund ta merrni nga Blerim Isufaj,” ka thënë Haxhiu në konferencë për media.

“Blerim Isufaj e di, ata prokurorë, disa janë ende aty, disa janë larguar sepse janë kërcënuar dhe kanë lëshuar Kosovën,” ka shtuar Haxhiu.

“E kam përmendur këtë, sepse jam pyetur. Ju lutem, insistoni që të merrni përgjigje që janë të rëndësishme për qytetarët, dhe Blerim Isufaj duhet ta japë këtë përgjigje, sepse thotë që s’ka informacione, por e di shumë mirë,” ka thënë ajo tutje.

Të ngjashme