Haxhiu kujton Mon Balajn në 46-vjetorin e lindjes: Emër që mbetet me respekt për sakrificën dhe atdhedashurinë

Prishtinë | 25 Mar 2026 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sot figurën e Mon Balajt në ditën kur ai do të festonte 46-vjetorin e lindjes, duke e cilësuar atë si një emër që mbetet i gjallë në kujtesën kolektive për sakrificën dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Në një postim publik, Haxhiu bëri të ditur se ka vizituar familjen Balaj për të shënuar këtë datë të veçantë, duke theksuar historinë e tyre të gjatë të kontributit për lirinë e vendit.

“Sot, Mon Balaj do të festonte ditëlindjen e tij të 46-të. Për ta kujtuar dhe shënuar këtë ditë, vizituam familjen e tij, një familje me histori të thellë sakrifice dhe atdhedashurie, që ndër breza ka dhënë shumë për lirinë e vendit tonë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo vlerësoi lart figurën e Mon Balajt, duke nënvizuar rolin dhe trashëgiminë që ai ka lënë pas.

“Mon Balaj mbetet një emër që kujtohet me respekt për besimin, angazhimin dhe për sakrificën e tij. Ai i dha dritë si trashëgimisë familjare atdhetare në të kaluarën, ashtu edhe rrugës sonë përpara”, thuhet më tej në reagim.

Sipas saj, vizita te familja Balaj ishte një moment reflektimi dhe kujtimi për vlerat që ai përfaqësonte.

“Kaluam çaste të mirë te familja Balaj, duke rikujtuar me nderim dhe krenari jetën dhe vlerat që Moni përfaqësonte”, shtoi ajo.

Të ngjashme