Haxhiu: Mbi 1,500 persona ende të zhdukur, Serbia t’i hapë arkivat

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

U.D. e Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se mendimet në këtë ditë janë pranë familjarëve të personave të zhdukur, të cilët për afër tri dekada presin përgjigje për më të dashurit e tyre.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, mendimet tona janë pranë familjarëve, të cilët për afër tri dekada presin përgjigje për më të dashurit e tyre. Janë edhe mbi 1,500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur. Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur, i cili nuk do të mbyllët derisa të gjendet edhe personi i fundit”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se kërkimet për personat e zhdukur nuk janë ndalur, duke përmendur edhe gjetjet e fundit të mbetjeve mortore në disa lokacione.

“Kërkimet nuk janë ndalur. Vetëm vitin e fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave. Vetëm në muajin e fundit, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave”, tha Haxhiu.

Haxhiu falënderoi institucionet e Kosovës për punën dhe profesionalizmin e treguar në procesin e kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur.

“Pra, në këtë rast më duhet të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për profesionalizmin, për kujdesin e treguar, sidomos në këto dy lokacione… tri lokacionet e fundit: Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë proces të ndjeshëm”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, procesi po përballet me sfida për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga Serbia, ndërsa ajo përsëriti kërkesën që Beogradi t’i hapë arkivat.

“Pra, gërmimet tregojnë që puna vazhdon, sikurse edhe tregojnë që në këtë proces të ndjeshëm kemi shumë sfida për shkak të mungesës së bashkëpunimit të Serbisë. Pra, siç e dini, edhe përkundër thirrjes tonë që Serbia të hapë arkivat — sepse nëse hapen ato arkiva, atëherë dihet se kush i ka dhënë urdhrat, kush i ka zbatuar urdhrat dhe ku janë trupat e personave të cilët ishin varrosur pasi që ishin vrarë — prandaj në këtë rast edhe një herë bëj thirrje që Serbia të hapë arkivat. Dhe në këtë rast presim që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Serbinë që e njëjta t’i hapë arkivat”, tha Haxhiu.

U.D. e Presidentes tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur.

“Ne do të vazhdojmë punën me përkushtim maksimal derisa, siç e përmenda edhe më herët, të gjendet edhe personi i fundit”, shtoi Haxhiu.

Të ngjashme