Haxhiu: Mungesa e opozitës po prodhon bllokim institucional

Prishtinë | 27 Pri 2026 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mungesa e opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit po prodhon bllokim institucional dhe po e çon vendin drejt një krize të panevojshme, raporton Ekonomia Online.

Ajo theksoi se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në procesin e votimit, duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili sipas saj e ka sqaruar përfundimisht këtë çështje.

“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte bllokimin e një institucioni kushtetues dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme. Unë nuk jam këtu natyrisht për të gjykuar motivet politike të askujt, sepse nuk është në rolin tim si kryetar i Kuvendit që ta bëj këtë, por është detyrimi imi që të mbroj funksionimin kushtetues të këtij institucioni sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar këtë çështje në mënyrë përfundimtare. Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake. Ky është standardi që buron nga rendi ynë kushtetues”, tha ajo.

Haxhiu bëri të ditur se kishte bërë thirrje të vazhdueshme ndaj opozitës për pjesëmarrje në seancë, por sipas saj, kjo nuk ka ndodhur.

“Nuk kam pasur mundësi të bëj thirrje për vazhdimin e kësaj seance përkundër përpjekjeve dhe thirrjeve publike ndaj kolegëve opozitarë që të ndërmarrin hapat e duhur në seancën e zgjedhjes. Në seancën e dytë pas dështimit të mbledhjes së votave, unë si kryetar i Kuvendit kam kërkuar nga opozita që të vijnë në seancë dhe të ushtrojnë obligimet e tyre kushtetuese. Në një demokraci parlamentare nuk mund të ketë bllokime të tilla politike; mund të ketë bashkëpunim, debat, madje edhe mospajtime politike, por mendoj që vija që nuk duhet kaluar, dhe kjo vijë është detyrimi i të gjithëve, është respektimi i rendit kushtetues”, tha ajo.

Ajo sqaroi edhe aspektin kushtetues të votimit për zgjedhjen e presidentit, duke cituar dispozitat përkatëse dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Pra, bazuar në këtë aktgjykim thuhet: “Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, neni 86.4 i Kushtetutës siguron se Presidenti i Republikës do të zgjedhet me dy të tretat e deputetëve, përmend raundet, por ajo çfarë është e rëndësishme thotë se minus ata deputetë të cilët kanë marrë leje nga kryetari i Kuvendit, kandidati i cili merr 80 vota ose më shumë vota nga të gjithë deputetët përzgjedhet president”. Po ashtu sqaron edhe procedura të tjera”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se obligimi për pjesëmarrje dhe votim është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime të reja.

“Pra, ka një ndërlidhje ndërmjet kërkesës për të qenë dy të tretat në Kuvend dhe që votojnë ka një ndërlidhje me obligimin e tyre për të qenë të pranishëm dhe që të marrin pjesë në procesin e votimit, qoftë për, qoftë kundër, qoftë abstenim. Sot përballë këtij standardi kemi një realitet, fatkeqësisht, krejtësisht tjetër. Të nderuar deputetë, unë i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë situatë menjëherë pasi e kam ndërprerë seancën me 5 mars. Përgjigja ka qenë e qartë: kjo çështje është res judicata, pra është vendosur njëherë e përgjithmonë. Nuk ka hapësirë për interpretime të reja apo për shmangie nga ky detyrim”, tha ajo.

Në fund, ajo theksoi se ushtrimi i mandatit nuk duhet të varet nga kalkulimet politike, por nga përgjegjësia kushtetuese ndaj qytetarëve.

“Mandati që ne mbajmë nuk duhet të ushtrohet sipas kalkulimeve të momentit; është një përgjegjësi që nuk mund të pezullohet në mënyrë të pajustifikueshme. Nuk mund të flasim për demokraci funksionale ndërkohë që institucionet tentohet të bllokohen përmes mungesës. Nuk mund të pretendohet respekt për Kushtetutën duke anashkaluar detyrimet që Kushtetuta na imponon të gjithëve. Natyrisht që qytetarët nga ne nuk presin që të jemi gjithmonë dakord, por presin që të jemi gjithmonë të pranishëm, presin që të marrim pjesë, presin, presin që të votojmë”, tha ajo.

Të ngjashme