Haxhiu në Sofje: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, jemi të gatshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Prishtinë | 10 Qer 2026 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje të Bullgarisë më 10 qershor 2026.

Në fjalimin e saj, thuhet se ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar rolin e SEECP-së si një platformë kyçe për stabilitetin e rajonit. Haxhiu dënoi ashpër agresionin rus kundër Ukrainës dhe nënvizoi se pasojat e tij po prekin sigurinë në gjithë Evropën, përfshirë edhe Evropën Juglindore.

“Ajo riafirmoi orientimin e plotë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe përkushtimin për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme, duke theksuar progresin konkret të Kosovës në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

Në këtë kontekst, U.D. Presidentja kërkoi avancim të mëtejshëm të procesit të integrimit, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke theksuar se procesi duhet të jetë meritokratik dhe i bazuar në standarde.

“Mbi 90 për qind e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes në rajon. Ky përparim është konkret, i matshëm dhe duhet të njihet. Prandaj kjo duhet të çojë në një vendim për statusin e vendit kandidat, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim punën për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Po ashtu, ajo vuri theksin në rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, projekteve infrastrukturore strategjike, zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe respektimit të barabartë të të gjitha vendeve të rajonit në organizatat rajonale.

U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi SEECP-në si një mekanizëm të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Të ngjashme