Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se çështja e demarkacionit është shndërruar në problematikë të rrejshme në mes të subjekteve politike shqiptare, por që sipas tij nuk do të duhej të ishte ashtu.“Ky problem do të duhej të ishte problem mes Kosovës dhe Malit të Zi, por kurrsesi problem brenda territorit të Kosovës.
Pra, këto zakonisht janë probleme mes shteteve e asnjëherë nuk janë probleme të brendshme”, ka thënë Haxhiu në “InfoBox” të RTV Dukagjini, duke treguar se në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të PDK’së është vendosur që të votohet ‘pro’ demarkacionit.
Duke folur për veriun e Kosovës, Haxhiu ka treguar se shkon shpesh në veri dhe se asnjëherë nuk i heq tabelat e veturës.
“Kam shkuar dhe shkoj në veri dhe asnjëherë tabela nuk kam heq. As sot që nuk heq. Kam pasur vështirësi, por që asnjëherë nuk jam ndalë dhe situata është shumë më e mirë se sa në të kaluarën.
Kur ka ndodhur pastrimi politik në veri, vëllezërit e Rexhep Selimit janë marrë me uzurpime në Klinë dhe Prishtinë, dhe ky si ministër i brendshëm në vend se me ju ofru siguri banorëve shqiptarë në pjesën veriore, iu ka ofruar siguri vëllezërve të tyre”, ka thënë deputeti Haxhiu.
Deputeti i PDK’së foli edhe për kishën serbe në kampusin e Universitetin e Prishtinës, me ç’rast dha edhe një propozim interesant për ndërtimin e një lapidari për studentët që kanë rënë dëshmorë të UÇK-së.
“Kisha është një dëshmi e kohës, e së kaluarës dhe e tashmes. Fillimi i ndërtimit të kishës fillon në fazën kur nga kampusi universitar janë larguar studentët shqiptarë, dhe e dëshmon një tentativë të regjimit të Millosheviqit për të ndryshuar strukturën brenda kampusit universitar, për të përzënë studentët shqiptarë dhe për të vendosur objekte të kultit aty.
Por sot nuk kemi nevojë ta godasim Kosovës veçanërisht te faktori ndërkombëtar që ne tani sot po rrënojmë kisha, por këto zhvillime historike janë bërë falë atyre studentëve që kanë qenë pjesë e kampusit universitar dhe ne sot kemi studentë dëshmorë, dhe ata sot nuk kanë asnjë përmendore e as lapidar brenda kampusit universitar. Uroj që komuna e Prishtinës në bashkëpunim me shoqatat e dëshmorëve, në mes të kishës dhe kampusit universitar të ndërtojnë një lapidar të madh të dëshmorëve studentë”, ka porositur Haxhiu.