Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu ka njoftuar se ka paraqitur dy ankesa në Gjykatën Supreme, siç tha ai, për të kundërshtuar shkelje të rënda ligjore që kanë deformuar rezultatin e zgjedhjeve.
Përmes një postimi në Facebook, ‘Kamishi’ tha se këto ankesa kanë të bëjnë me pranimin e, siç i quan ai, paligjshëm të 23.232 pakove me fletëvotime përmes postës pas afatit ligjor, dhe për përllogaritjen e gabuar të mandateve për Kuvendin e Kosovës.
“Ky veprim ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe ka anashkaluar vullnetin e lirë të qytetarëve. Përmes një përllogaritjeje mekanike dhe të padrejtë, KQZ ka përmbysur renditjen reale të votave, duke shkelur parimin e barazisë së votës dhe duke cenuar të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv.
Haxhiu ka kërkuar nga Gjykata Supreme të veprojë me përgjegjësi dhe të mbrojë demokracinë, duke garantuar që çdo votë të ketë të njëjtën peshë dhe që rezultati përfundimtar të pasqyrojë realisht vullnetin e qytetarëve.
“Jam i vendosur ta çoj këtë betejë deri në fund. Demokracia nuk mbrohet me heshtje, por me ligj, drejtësi dhe guxim institucional. Faleminderit për mbështetjen tuaj”.