Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për rrëfimin e Suzana Zogiani-Sekiraqa e cila e kishte mbytur burrin e saj me sëpatë.
Suzana Zogiani-Sekiraqa, më 21 shtator 2018, në qytetin Dole të Francës, u ka dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti Artan Sekiraqa, duke e goditur atë 11 herë me sëpatë në qafë.
Por, ajo thotë se vrasjen e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre.
Ndërsa, Haxhiu thotë se përmes rrëfimit të saj kuptova për padrejtësinë e radhës nga sistemi i drejtësisë.
” Padyshim që vrasja duhet të ndëshkohet por është abuzim me drejtësinë nëse dënimi shqiptohet dhe nuk merren parasysh rrethanat që mund të qojnë te zbutja e dënimit dhe në rastin e Suzanës ka shumë të tilla por që janë injoruar nga dy shkallët e gjykatave!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Postimi i plotë i Albulena Haxhiut:
Ishte i dhimbshëm rrëfimi i Suzanës teksa shpjegonte me lot në sy, maltretimet, dhunën, abuzimet e ish bashkëshortit të saj. Por përmes rrëfimit të saj kuptova për padrejtësinë e radhës nga sistemi i drejtësisë.
Suzana, viktimë e dhunës në familje për vite me radhë, është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e burrit.
Padyshim që vrasja duhet të ndëshkohet por është abuzim me drejtësinë nëse dënimi shqiptohet dhe nuk merren parasysh rrethanat që mund të qojnë te zbutja e dënimit dhe në rastin e Suzanës ka shumë të tilla por që janë injoruar nga dy shkallët e gjykatave!
Në shumicën e rasteve, gratë dënohen më shumë se burrat për vrasjen ndaj bashkëshortëve.
Me ndonjë përjashtim të vogël, gruaja vie deri te momenti i vrasjes së burrit, ose për shkak të vetmbrojtjes ose për shkak të përjetimeve të rënda psiqike e fizike ndaj saj ose/dhe fëmijëve, që në rastin e Suzanës janë të dyja bashkë por shkallla e parë dhe shkalla e dytë ka neglizhuar të dyja këto.
E papranueshme!
Uroj që Gjykata Supreme, ta adresojë padrejtësinë e bërë nga shkalla e parë dhe dytë kundrejt Suzanës!