Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se PDK-ja është e gatshme për seancën e nesërme, ku deputetët e kësaj partie do të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit.
“Siç e dini me kërkesën e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, janë ftuar shefat e grupeve parlamentare dhe është vendosur që të mbledhjen nënshkrimet për të thirrur seancën për nesër për shpërndarjen e Kuvendit dhe PDK do të marr pjesë nesër në seancë do të votoj shpërndarjen e Kuvendit dhe sovrani do vendosë për Qeverinë e ardhshme”, ka thënë Haxhiu.
“Ndoshta dikush mund të ketë iluzione por seanca për shpërndarjen e Kuvendit është nesër dhe është në dorën e deputetëve për të shpërndarë Kuvendin. PDK-ja është e vendosur dhe ka rrugëtimin e saj, ka programin më të mirë qeverisës të cilin do të ia prezantoj qytetarëve të saj gjatë fushatës elektorale”, shtoi ai.
Haxhiu ka thënë se PDK-ja vazhdimisht ka punuar për të fituar besimin e qytetarëve të vendit dhe se kjo parti ka programin më të mirë që i duhet vendit, në krye me kandidatin e tyre për kryeministër, Kadri Veselin.
“Në politikë hyhet për besim dhe për të fituar besimin dhe PDK është duke punuar në vazhdimësi që ta ketë besimin e qytetarëve të Kosovës sepse vendi nga një tranzicion i deritanishëm duhet të marrë rrugën e zhvillimit dhe këtë më së miri do ta bëjmë me kryeministrin e ardhshëm, Kadri Veseli”, shtoi ai.
“Ne jemi duke hyrë në zgjedhje me program të qartë për të luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe për të zhvilluar këtë vend, për t’i jap një rrugëtim të ri rinisë sonë, rrugëtimin e perspektivës në Kosovë dhe PDK-ja hynë në këto zgjedhje me kandidatin e saj për kryeministër, Kadri Veseli, dhe duke kërkuar besimin e qytetarëve, sovrani do të vendosë rrugën se nga do të shkojë Kosova, rrugën e zhvillimit me Kadri Veseli”, tha ai.