Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka akuzuar mazhorancën në Kuvend se po manipulon me votat e deputetëve, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e sotme parlamentare, ai ka thënë se në seancën e kaluar Qeveria e ka kontrabanduar Projektligjin për tekstet shkollore pa pas kuorumin në seancë.
“Është më se e domosdoshme që sot të diskutohet për deformimin e demokracisë dhe vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës për shkak të kontrabandimit të projektligjit për tekstet shkollore pa pas kuorumin prej 61 votave të Kuvendit. Duket se dirigjimi i deputetëve nga byroja politike e udhëhequr nga Dejona Mihali nuk po mjafton”, ka thënë ai.
Sipas tij, VV-ja tani ka kaluar në nivel tjetër të manipulimit.
“Tani kjo mazhorancë ka kaluar edhe një hap me tutej në vjedhjen dhe kontrabandimin e votave të deputetëve. Mendësia dhe praktika e vjedhjes qeveritare ka kapluar edhe vjedhjen e votave të deputetëve këtu në seancë të Kuvendit. Procedimi i projektligji për tekstet shkollore pa arritur e kuorumin prej 61 votave të domosdoshme, përveç që është shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, është kontrabandim, është hajni e votave të deputetëve”, është shprehur ai.