Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë publike propozimet e tij të cilat i ka dhënë në kuadër të amendamenteve për plotësim-ndryshimin e Ligjit për buxhetin e vitit 2020.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Haxhiu ka thënë se në këto propozime përfshijnë rritjen e pagave për profesionistët shëndetësor, policët dhe kategoritë tjera që janë duke u përballur me pandeminë Covid-19.
“Kemi paraparë që të bëhet rritja e pagave për profesionistët shëndetësor bazuar në Ligjin e Pagave, pra kalkulimi është i bazuar në Ligjin e Pagave i cili është miratuar mandatin e kaluar mirëpo që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe kategorizimi që ka ndodhë në atë ligj, edhe tani e kam bërë si amendament duke e bërë edhe një përmirësim për pagat e infermierëve me fakultet, të cilët nuk kanë qenë të trajtuar si duhet në ligjin e pagave”, tha Haxhiu.
E për ankesat e disa kategorive, deputeti i PDK-së i quan politike. Thotë se Infermieria dhe Fizioterapia nuk janë një, dallojnë si profesione, dallojnë edhe për nga detyra dhe përshkrimi i punës.
“Më shumë ka pas tentativë që për shkak ndoshta të çështjeve politike që të atakohet një komunitet i tillë dhe pse ai kategorizim nuk ka qenë, pra me koeficientin që ka qenë në Ligjin e Pagave 3.2, dhe kjo është bazuar në përshkrimin e detyrave të punës së tyre. Infermieria dhe Fizioterapia nuk janë një, dallojnë si profesione, dallojnë edhe për nga detyra dhe përshkrimi i punës dhe mendoj që është një vlerësim adekuat dhe ka qenë një vlerësim i njëjtë. Mos harroni se deri më tani, fizioterapeutet janë paguar në disa prej spitaleve regjionale me pagën e barabartë me stomatologët dhe mjekët përgjithshëm. Pra është një ulje e pagës në këtë propozimin që është bërë”, u shpreh ai.
Ndër të tjerash, Haxhiu ka bërë apel te profesionistët shëndetësor që në këtë çështje të jenë unik. Ndërkaq, thotë se mantelbardhët nuk mund të jetojnë me shtesa në formë të ndihmave, por që duhet t’i marrin pagat ashtu siç e meritojnë për punën që e bëjnë.
“Unë bëj apel edhe profesionistëve shëndetësor që në këtë çështje të jemi unik. Kam mbështetjen e tyre për këtë propozim. Është një momentum i rëndësishëm që çështja e pagave të profesionistëve shëndetësor në nivel të Kosovës të rregullohet. Nuk mund më sistemi shëndetësor dhe profesionistët të jetojnë me shtesa në formë të ndihmave, por ata duhet të marrin paga ashtu si e meritojnë për punën që e bëjnë”, tha Haxhiu, teksa tha se për këto muaj të pandemisë profesionistët shëndetësor kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, u shpreh Haxhiu.