Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Prokuroria Speciale të ftojë Ramush Haradinajn për akuzat që ai ka bërë ndaj Kryeministrit Albin Kurti, se është i lidhur me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu theksoi se kjo është një deklaratë e rëndë dhe kërkoi të dijë pse Prokuroria nuk e ka ftuar Haradinajn. Ajo gjithashtu ka përmendur lidhjet e Haradinajt me Serbinë dhe figura të dyshimta si Milan Radojiçiq.
“Ku ka qenë kryeprokurori Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë se ‘kryeministri Kurti është i lidhur me Serbinë’? A e kanë ftuar Haradinajn për këtë deklaratë? Është një deklaratë e rëndë, pasi po akuzon një kryeministër. Sigurisht që jo, sepse dalin lidhjet e Ramushit me Serbinë dhe me terroristët që e prisnin në zyrë, siç është Milan Radojiçiç”, tha Haxhiu.