Haxhiu raporton në Komisionin për Integrim Evropian pa opozitë dhe medie, kryetarja e kishte anuluar mbledhjen

Prishtinë | 31 Maj 2023 | 14:06 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, ka anuluar mbledhjen ku pritej të raportonte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Megjithatë, Haxhiu ka raportuar dhe mbledhja është mbajtur, pa prezencën e opozitës dhe medieve, raporton Ekonomia Online.

Arsyeja e anulimit, siç ka shpjeguar Krasniqi për EO, ka qenë situata në veri të vendit. Ajo tha se me këto zhvillime, nuk ka dashur që t’i humbasë rëndësia e raportimit e ministres Haxhiu e as ajo e çështjeve që do të diskutoheshin në këtë mbledhje.

“Javën e kaluar kemi caktuar takimin për datën 31 maj, mirëpo duke e parë gjendjen shqetësuese në pjesën veriore, dje kam dërguar email për të anuluar takimin. Duke pasur parasysh se shihnim lajmet e ndryshme se për sot do të ketë protestë më të madhe dhe nuk doja që me i humb rëndësia raportimit të saj (Albulena Haxhiut). Kur ministrja vjen të raportojë për proceset integruese dhe kur në pjesën veriore po shohim çdo ditë se çfarë sanksione po marrim, ka qenë shqetësuese dhe unë si kryetare e komisionit e kam anuluar këtë takim, mirëpo sot në mëngjes nënkryetarja e komisionit nga pozita i ka mbledhur deputetët e saj dhe ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka raportuar ministrja. Pra, ka mbetur vetëm pozita dhe ministrja në takim”, tha ajo, teksa shtoi se nuk është në dijeni nëse është mbuluar nga mediet”.

Krasniqi tha se vendimi për shtyrjen e kësaj mbledhje është bërë para reagimit të ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Para reagimit të ambasadorit Hovenier, për arsye se duke parë situatën shumë shqetësuese, raportimet nëpër media se nesër mund të ketë protestë më të madhe, e pashë të arsyeshme që edhe kjo mbledhje të anulohet”, u shpreh ajo.

Ajo tutje ka treguar se raportimi i ministres Haxhiu ka qenë rreth raporteve kryesore Komisionin për Integrim Evropian.

“Ministrja ka pasur të vijë të raportojë për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me dy raportet kryesore që janë në Komisionin për Integrim Evropian, që është agjenda për reformën evropiane dhe raporti kombëtar për zbatimin e MSA-së”, tha Krasniqi.

Të ngjashme