Medica Gjakova ka mbajtur panel diskutimi për reflektimet kritike mbi hulumtimin mbi përdhunimet e luftës në Kosovë, adresimi i stigmatizimit dhe riintegrimit të të mbijetuarve/ave, raporton Ekonomia Online.
Në panel u diskutua për efektet dhe pasojat me të cilat ballafaqohen të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Barbara Umrith, konsulente e hulumtimit, ka thënë se pjesëmarrësit e hulumtimit raportuan perceptime të shumta negative në lidhje me efektet që përvojat e tyre traumatike të dhunës seksuale që kishin në jetën e tyre familjare dhe tek fëmijët e tyre.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për punën e institucionit që ajo drejton në këtë çështje.
Ajo ka thënë se Strategjia për Drejtësi Tranzicionale është një hap monumental që e pasqyron zotimin e palëkundur të Qeverisë për viktimat e dhunës seksuale.
Ajo ka thënë se nga këto krime “Serbia është shndërruar në strehë për kriminelët”, mirëpo se ata do të ndiqen penalisht me gjykimin në mungesë.
“I gjithë fokusi ynë është te implementimi i kësaj strategjie dhe jam bindur që për pak kohw do ta kemi një raport për implementimin e kësaj strategjie. Disa nga aktivitetet janë përmbushur por ka edhe shumë të tjera që janë në zhvillim e sipër”.
“Serbia është shndërruar në strehë për kriminelët. Gjykimi në mungesë ekziston. Nga janari i këtij viti kemi filluar. Tashmë kemi dënime për dhunime seksuale gjatë luftës dhe janë disa raste që po trajtohen”.
Jeta Krasniqi, anëtare e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, ka thënë se ka pasur ndryshime pozitive që nga themelimi i komisionit.
“Kemi arritur të ndërtojmë një proces ku në qendër të saj janë të mbijetuarit. Ka shërbyer një shembull i mirë edhe për rezolutat që kanë kaluar në Kombet e Bashkuara. Është vlerësuar roli i shoqërisë civile ne këtë proces”.
“Në momentin e zbatimit i kemi parë ngecjet. Ka shtatë vjet që komisioni funksionon. Ajo që kemi arritur është që kemi pasur progres në ofrimin e rahatisë që të mbijetuarit të takohen me komisionin dhe që duhet të ndjehen të lirë dhe të marrin kurajon të aplikojnë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Sanja Pavlovic, përfaqësuese e programit “Amplifying Voices’, tha se është e nevojshme që të thyhet heshtja për të mbijetuarit.
“Kemi nevojë ta thyejmë heshtjen, kemi nevojë t’i mbështesim viktimat dhe kemi nevojë për lëvizje feministe”, ka thënë ajo.
Shpresa Frrokaj, këshilluese psikosociale në Medica Gjakova, ka theksuar se kjo organizatë është e përkushtuar t;i ndihmojë edhe më tutjë këto viktima.
“Falë Medica Mondiale kemi zhvilluar strategji të ndryshme dhe vazhdojmë t;i zhvillojmë edhe më tutje këto strategji që të jemi afër të mbijetuarve. I bëjmë të gjitha punët që të mbijetuarat të ndihen mirë”.
Ky panel diskutimi, sikurse edhe konferenca për shtyp ku u prezantua raporti, dhe panelet tjera pas tij, transmetohen “live” nga Ekonomia Online (në Facebook).