Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar ndërhyrjen e trupave të NATO-s, në 22 vjetorin e kësaj ngjarjeje.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Haxhiu ka thënë se data e sotme e 22 viteve më parë, shënoi hapjen e një epoke të re për shqiptarët.
Më poshtë edhe postimi i plotëë
12 qershori dita e çlirimit të vendit tonë.
Në këtë ditë të para 22 vjetëve u hap një epokë e re për shqiptarët për të cilën paguajtëm me shekuj e shekuj. Një popull i persekutuar më në fund filloi të lëvizte lirshëm në oborr, lagje e vend të vet.
Përpjekja e rezistenca e brezave të ’68, ’81, ’89, ‘97 e deri në kulmimin e luftës sonë çlirimtare dhe ndihmën e aleatëve të NATO-s bënë që vendi ynë të çlirohej përfundimisht nga regjimi fashist i Serbisë.
Mijëra e mijëra të vrarë, qindra vjet burg politik, mijëra të dhunuar e torturuar, tërë populli i larguar nga vatra e vet vetëm pse kërkonte Kosovën Republikë. Kjo nuk është vetëm histori, por pikënisje e domosdoshme e së ardhmes për të parë e reflektuar se Kosova e popullli shqiptar ka paguar shtrenjtë historinë e fatin e vet.
12 qershori nuk është vetëm moment rikthimi kah e kaluara e jonë, por edhe moment i reflektimit për perspektivën tonë drejt së ardhmes.
Urime dita e çlirimit!