Haxhiu: S’ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të IML-së dhe mostrave

Prishtinë | 21 Nën 2023 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mostrave.

Haxhiu ka shkruar në Facebook se pa u kuptuar shkaqet e zjarrit, nuk mund të japë më shumë informacione.

“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri”, ka shkruar Haxhiu.

“Ekipet e zjarrfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendim e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave. Ekipet e forenzikës dhe ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre.

“Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë. Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka shkruar në fund Albulena Haxhiu.

Të ngjashme