Dy ministra, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla, kanë vizituar vilën e Milan Radojçiqit, ditën kur policia zhvilloi një aksion për konfiskimin e pasurisë së tij.
Nga atje, ministrja e Drejtësisë ka publikuar një “videoklip”, duke prezantuar luksin ku ka jetuar përgjegjësi për sulmin në Banjskë.
“Dje publikuam dokumentin e listës se aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Radojçiq. Sot nga afër dhe konkretisht pamë luksin në të cilin ka jetuar ky kriminel. Kjo është jeta e një terroristi që për vete bën jetë prej milioneri, ndërkohë që mjet të funksionimit ka frikësimin dhe kërcënimin e komunitetit ku jeton në mënyrë që t’i shërbejnë atij. Kjo gjë ka ndërruar, qytetarët atje kanë filluar të çlirohen nga ky terrorist dhe grupi i tij që kanë punuar vetëm për veten në shërbim të regjimit në Beograd”.
“Republika e Kosovës nuk trembet nga terrorizimi dhe është garantuese e jetës së qetë për të gjithë qytetarët pa dallim. Jemi shoqëri demokratike dhe me vlera të qarta perëndimore ku terrori, frikësimi, shantazhi dhe ilegaliteti nuk kanë vend”, ka shkruar Haxhiu.