Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se Gjykata Speciale do t’i sjellë dëme Kosovës si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtarë. Ajo ka shtuar se ata të cilët e kanë votuar sot po fshihen, por duhet të japin llogari, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se aktakuzat nga Gjykata Speciale për disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, i kanë parë me shqetësim të madh, pasi aty UÇK-ja karakterizohet si organizatë kriminale.
“Kam parë edhe aktakuzën e publikuar dhe të konfirmuar nga gjykata, dhe jam jashtëzakonisht e shqetësuar, sepse në këtë aktakuzë nuk flitet për krime individuale, por që në thelb UÇK-ja karakterizohet si organizatë kriminale”.
“Është dëm i madh, historik, por ata të cilën e kanë votuar s’po flasin dhe po fshihen. Ata duhet të japin llogari për dëmet që ia kanë bërë Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte kundërshtuar formimin e kësaj gjykate, pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale, ndaj ish-presidentit Thaçi dhe ish- kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, u akuza se në atë ditë ka pasur “festë” në zyrat e saj. Këto akuza erdhën kryesisht nga ish-anëtarë të VV-së, tash anëtarë të PSD-së.
Por, Haxhiu duke treguar kundërshtimin që i kishte bërë formimit të kësaj Gjykate, si partia më zëshme kundër, ka thënë se këto akuza janë të qëllimshme, që synojnë baltosen e VV-së.
“Janë të qëllimshme, gjithmonë ka ekzistuar një tendencë që të njolloset etiketohet Lëvizja Vetëvendosje. Do të ketë zëra që gjithmonë do të tentojnë të hedhin baltë në Vetëvendosjes, por që akuzat e tilla asnjëherë nuk e kanë zbehur mbështetjen e madhe qytetare”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur edhe për faktin që Kosova edhe 20 vite pas luftës nuk ka paditur Serbinë për krimet e bëra gjatë viteve 1998-99 në Kosovë.
Haxhiu thotë se ka pasur tendencë që Serbia të amnistohet për krimet e kryera dhe ka munguar vullneti politik.
Sipas saj Kosova, përveç mungesës së vullnetit politik ka edhe mungesë të prokurorëve.
“Sot në Prokurojnë Speciale i kemi 15 prokurorë, por vetëm tre prej tyre prokurorëve merren me krime lufte e që i kanë shtesë edhe krimet e terrorizmit, ekonomie etj. Ky numër është jashtëzakonisht i vogël, dhe pa i pasur në Departamentin për krime lufte të paktën 30 prokurorë me bashkëpunëtorë profesional, mendoj se nuk mund të kemi veprime për t’i adresuar krimet e luftës, dhe nuk mund të presë nga një Qeveri që i nënshtrohet Serbisë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Haxhiu.
Ajo po ashtu e ka vlerësuar si shumë të dëmshme faktin që Kosova nuk ka të themeluar një Institut për Krime Lufte. Haxhiu thotë se si ministre e Drejtësisë kishte filluar themelimit e tij, por që koha e shkurtër në ekzekutiv ia pamundësoi.