Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për tri ditë me radhë do të qëndrojë në Hagë për të takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Takimin e Haxhiut me ish-krerët e UÇK-së po e cilëson simbolike, si shenjë mbështetje dhe përkrahje për personat që gjenden në paraburgim, Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional.
Sipas tij, “kokat” e UÇK-së, janë në një proces gjyqësor dhe akoma nuk ka filluar gjykimi i rasteve, andaj një vizitë nga Ministrja e Drejtësisë duhet të ndodh patjetër për shkak se procesi po zhvillohet jashtë vendit.
“Publiku duhet ta dijë se pavarësisht ngritjes së një aktakuze në sistemin e drejtësisë vlen parimi i pafajësisë. Secili person është i pafajshëm deri në shpalljen e një aktgjykimi përfundimtar. Dhe kokat udhëheqëse të UÇK-së, janë në një proces gjyqësor. Jemi në një fazë ku akoma nuk ka filluar gjykimi i rasteve dhe aktakuzave të cilat janë ngritur për secilin veç e veç, mirëpo kjo vizitë duhet të bëhet për shkak se procesi nuk po ndodh në territorin e Kosovës por në një vend tjetër që është rast unik në sundimin e rendit dhe ligjit botëror. Vizita e ministres është më shumë një vizitë simbolike si shenjë mbështetje dhe përkrahje për personat që gjenden në paraburgim”, tha Nrecaj.
Sipas tij, do të ishte jo e drejtë që kjo vizitë të shfrytëzohet për konsum politik, raporton EO.
“Pjesa e aspektit politik mund të ndodh që të shfrytëzohet për përfitime politike të elektoratit. Ne kemi marrë obligim ligj që të gjitha shpenzimet të mbulohen dhe është ndarë një buxhet i posaçëm për personat që janë duke u akuzuar padrejtësisht për krime lufte. Do të ishte jo e drejtë që kjo vizitë të shfrytëzohet për konsum politik për çështje të caktuara. Kjo vizitë duhet të jetë përkrahje morale. Pa marrë parasysh nëse mund të kenë pasur në të kaluarën probleme ose mospajtime me pjesëtarët e UÇK-së që janë në Hagë, ata duhet ta përkrahin në çdo segment luftën e Kosovës. Është vendim i tyre personal refuzimi. Ajo nënkupton që ka akoma hatër mbetje dhe nuk duan të jenë pjesë e konsumit politik që Qeveria mund ta shfrytëzojë tani. Kjo vizitë nuk guxon të jetë simbolike. Por të shikohet mënyra se si trajtohen, a kanë nevojë në aspektin e përkrahjes institucionale”.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, sot do të udhëtojë për në Hagë.
Qëllimi i kësaj vizite është të takojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen që një vit.
Takimet pritet të jenë më 30, 31 mars dhe 1 prill.
Ajo do të jetë e shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci dhe deputeti Adnan Rrustemi.