Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, priti në një takim zyrtar, Komisioneren për të Drejtat e Njeriut në KE, Dunja Mijatoviç, me ç’rast diskutuan për reformat e nisura nga Ministria e Drejtësisë.
Haxhiu e njoftoi Komisioneren Mijatoviç për punën që është bërë deri tani në kuadër të reformës në drejtësi si dhe me politikat që avancojnë të drejtat e njeriut si dhe veprimet që janë ndërmarrë në adresimin institucional të dhunës në familje dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe punën gjithëpërfshirëse në kuadër të strategjisë për drejtësi tranzicionale, thuhet në komunikatë për media.
Haxhiu përmendi edhe Kodin Civil si një dokument të rëndësishëm në avansimin e të drejtave të njeriut si dhe tregoi rëndësinë që ka për vendin dhe qytetarët anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast përveç tjerash kjo do të ndikonte edhe në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, duke krijuar kushte më të përshtatshme për të implementuar praktikat më të mira rrjedhimisht ngritjen e standardeve të respektimit të të drejtave të njeriut.