Gazetari Baton Haxhiu ka thënë në emisionin Pressing në T7 se arrestimet e fundit nga Specialja ndaj liderëve të OVL-UÇK’së është një spektakël dhe një arsyetim.
Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë arrestuar javën e kaluar dhe janë dërguar në Hagë, ndërsa Haxhiu thotë se janë arsyetim për publikimin e propozim aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaci, në mënyrë që t’i ndalohet rruga për të shkuar në Uashington që të kryejë një marrëveshje me Serbinë.
“Pse nuk ka asnjë arrestim brenda Tribunalit për rrjedhje të dosjeve”, thotë ai.
“Dikush duhet të marrë përgjegjësi për rrjedhje të dosjeve brenda Tribunalit. Mendoj se është bërë gabim me konferencën për shtyp. Kur u publikua propozimi i aktakuzës për Thacin kishte edhe atë deklaratën për pengim të drejtësisë. Këtë kanë dashur ta tregojnë edhe me këtë aksionin e fundit. kanë dashur ta arsyetojnë këtë disi. Nuk e shoh asnjë arsye tjetër të kësaj katrahure, ose këtij spektakli të uniformuar kur mandati i EULEX’it nuk ekziston më. Me cilat uniforma janë arrestuar të dyshuarit. SPO. Ku ka polici Gjykata Speciale? Më tregoni një dokument. Ata persona me uniforma janë të paligjshëm. Të gjithë shqiptarët kanë shkuar në Hagë pa bërë probleme, me një thirrje. Por është dashur një spektakël i tillë”, shton Haxhiu.