Kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu është deklaruar para mediave pas dështimit të 28-të për të konstituuar këtë institucion, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se në 28-të seancat e mbajtura nuk kanë parë as minimumin e vullnetit të opozitës për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit.
“Siç e dini më 1 maj ka filluar propozimi i kryesuesit të seancës konstituive, duke pasur parasysh që kishte disa dështime me votim të hapur. Në asnjërën prej këtyre seancave nuk e kemi parë as minimumin e vullnetit të opozitës për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Haxhi ka deklaruar se kjo parti i ka numrat për qeverinë, duke fajësuar partitë opozitare se ato po e mbajnë peng Kuvendin, pasi që, të njëjtat, sipas Haxhiut, e dinë që VV-ja i ka numrat për Qeverinë.
‘‘Sa i përket Qeverisë, ne i kemi numrat për Qeverinë. Le të na masin, le ta na sfidojnë. Pra në momentin kur konstituohet kuvendi, dhe jepet mandatari nga presidentja, pastaj ka afate janë 15 ditë që ka në dispozicion mandatari edhe mund të na sfidojnë. Këta e din që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng kuvendin’’, ka thënë ajo.
Haxhiu ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të jap vendimin e saj për lëndën e dorëzuar nga AAK-ja, si dhe për lëndën dorëzuar nga VV-ja ‘‘sa i përket manipulimit me vota të mërgatës’’.
Ajo ka thënë edhe se ky vendim duhet të jepet sa më shpjet duke pasur parasysh urgjencën.
‘‘Ne kemi disa çështje përpara, kemi një lëndë në Gjykatën Kushtetuese që e ka dorëzuar AAK-ja, kemi edhe lëndën tjetër që e ka dorëzuar VV-ja sa i përket manipulimit me vota të mërgatës në të dyja këto që lidhen edhe me zgjedhjet, nuk kemi ende asnjë nga gjykata kushtetuese. Mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese duke e pasur parasysh ndjeshmërinë, urgjencën, të veprojë sa më parë, ta thotë fjalën e vet si për lëndën e parë si për lëndën e dytë’’, ka thënë ajo.
Tutje, e njëjta është deklaruar se VV-ja është e hapur edhe për takime të tjera me presidenten Vjosa Osmani, edhe nëse ato bëhen veç e veç.
‘‘Sa i përket ftesës së presidentes, tashmë ka ndodhur një takim me kryetarët e partive politike, aty është diskutuar edhe për takime të ndara me liderë veç e veç, ne jemi shumë të hapur të marrim pjesë edhe në këtë takim. Jemi shumë të hapur të kontribuojmë me gjithçka çka varet nga ne me qëllim të konstituimit të Kuvendit, por është përgjegjësi edhe e deputetëve të opozitës që të kontribuojnë në këtë drejtim’’, ka thënë ajo.
