Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka qëndruar sot për vizitë tek familja Magashi, pas tragjedisë që i ndodhi ku Hamide Magashi së bashku me fëmijën ende të palindur, ditë më parë u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga ish-bashkëshorti saj, Sokol Halili.
Ministrja Haxhiu në një prononcim për Telegrafin u zotua që nuk do të lënë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e plotë të rastit.
“Po, së bashku me kabinetin dhe deputetë ishim tek familja e të ndjerës Hamides, për ngushëllime. Dhimbje e madhe si për familjen ashtu edhe për ne. Përveç shprehjes së ngushëllimeve, u zotova që puna në adresimin e papërgjegjësisë do të vazhdojë dhe nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur derisa secili që nuk ka kryer punën në bazë të kompetencave të ndëshkohet për këtë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se janë në pritje të raporteve nga QPS-ja për 4 zyrtarët e suspenduar.
“Siç e keni parë dje janë suspenduar 4 zyrtarë, ata do të procedohen edhe penalisht. Jemi në pritje të raporteve nga QPS dhe inspektorati shëndetësor”, tha Haxhiu.
Inspektorati Policor i Kosovës, dje bëri të ditur se nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues).
Hamide Magashi u vra të mërkurën mbrëma në oborrin e QKUK-së, derisa kishte dalë nga Klinika e Gjinekologjisë për të blerë diçka. Vrasja e saj tronditi mbarë opinionin në Kosovë dhe jashtë saj.
Menjëherë pas rastit tragjik, policia ishte vënë në kërkim të ish-bashkëshortit, por ky i fundit të premten, në ditën kur po varrosej 35-vjeçarja, bëri vetëvrasje.
31-vjeçari aktin e vetëvrasjes e kreu në katin e dytë të shtëpisë së tij, e cila ishte e rrethuar nga zyrtarë policorë që po përpiqeshin ta bindnin të dorëzohej. Por, ai i vendosur që të mos binte në duart e autoriteteve, shkrepi plumbin në kokën e tij.