Haxhiu viziton FFK në prag të ndeshjes së Kosovës ndaj Bullgarisë

Prishtinë | 18 Pri 2026 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit njëherit u.d. e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu në prag të ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave.

Gjatë kësaj vizite, ajo u prit nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili i dëshiroi mirëseardhje dhe e falënderoi për mbështetjen që po i jep futbollit të vajzave.

Ademi theksoi se paraqitjet e deritashme të Dardaneve kanë qenë shumë të mira dhe krenari për vendin, duke shprehur besimin se ato do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe në të ardhmen.

“Vajzat tona me përkushtimin dhe rezultatet e tyre na kanë bërë krenarë të gjithëve. Uroj që me këtë formë të vazhdojnë edhe në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Ademi.

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu përgëzoi futbollistet dhe stafin teknik për punën dhe angazhimin, duke theksuar rëndësinë e suksesit të tyre për shtetin.

“Ju, së bashku me trajnerin tuaj, jeni duke e lartësuar emrin e shtetit tonë. Jeni frymëzim për shumë vajza në Kosovë dhe përtej, pasi sukseset tuaja tashmë janë vërejtur edhe ndërkombëtarisht. Ju dëshiroj shumë fat dhe sukses në ndeshjen e sotme. Do të vazhdoj t’ju mbështes në vazhdimësi, sepse suksesi juaj është edhe sukses i shtetit”, theksoi ajo.

Të ngjashme